“Kosova vazhdon të stagnojë në luftën kundër korrupsionit”

“Kosova vazhdon të stagnojë në luftën kundër korrupsionit”

Rezultatet e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit (CPI) për vitin 2020 konfirmojnë vazhdimin e stagnimit të Kosovës në luftën kundër korrupsionit, raporton Anadolu Agency (AA).

Kështu është thënë në një konferencë për media nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ku u shpalos CPI për këtë vit, e përgatitur nga organizata “Transparency International”.

KDI thekson se viti 2020 është viti i dytë me radhë i Kosovës që shënoi 36 pikë duke u renditur në pozitën e 104-të së bashku me Shqipërinë, Algjerinë, Bregun e Fildishtë, El Salvadorin, Vietnamin dhe Tajlandën.

Adelina Hasani, hulumtuese në KDI, tha se këto rezultatet tregojnë se Kosova ka nevojë urgjente të përqendrohet në tre fusha në mënyrë që të bëjë përparim: në pavarësinë e sistemit të drejtësisë, në luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e transparencës në fushën e prokurimit publik.

“Ndërhyrja e vazhdueshme politike në punën e gjyqësorit ka minuar punën e pavarur dhe profesionale të sistemit gjyqësor në Kosovë”, ka thënë Hasani.

Gjithashtu Hasani bëri të ditur se gjendja e jashtëzakonshme e shkaktuar si rezultat i pandemisë COVID-19 ka shkaktuar rritje të mundësisë për korrupsion në Kosovë, në sektorin e shëndetësisë në veçanti.

Sipas KDI-së, në nivel rajonal, krahasimi i rezultateve me ato të vitit të kaluar tregon se i gjithë rajoni po kalon nëpër një periudhë stagnimi dhe vetëm Shqipëria ka shënuar një rritje me 1 pikë krahasuar me vitin e kaluar. Mesatarja e Evropës ku pretendohet të jenë vendet e Ballkanit është 66 pikë ndërsa sipas KDI asnjëra nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk afrohen kësaj mesatare.

Në aspektin global, nga 180 vende të përfshira në vlerësimin e “Transparency International”, Danimarka dhe Zelanda e Re ndajnë pozitën e parë me 88 pikë, të ndjekura nga Finlanda, Singapori, Suedia dhe Zvicra me 85 pikë. Vendin e fundit në botë e mban Somalia me 10 pikë.

“Transparency International” (TI), përdor një metodologji të sofistikuar shkencore dhe raportin e bazon kryesisht në raportet kredibile nga organizata ndërkombëtare si Freedom House, World Bank, Bertelsmann Foundation, World Justice Project ROLI, Global Insight dhe Varieties of Democracy Project. Indeksi shfrytëzon sistemin e vlerësimit prej 100 shkallësh në të cilin vlerësimi maksimal do të thotë ‘vend i pastër nga korrupsioni’ kurse vlerësimi prej zero pikë do të thotë ‘vend shumë i korruptuar’.