thumbs_b_c_be74ab650baa45868c66baa24ffac18d

Kosova vendos sanksione ndaj Iranit

Qeveria e Kosovës ka miratuar pakon e sanksioneve ndaj Republikës Islamike të Iranit, transmeton Anadolu.

Në mbledhjen e kabinetit qeveritar zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Liza Gashi ka thënë se sanksionet janë të koordinuara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Bashkimin Evropian (BE) dhe aleatët e tjerë.

“Pakon e sanksioneve ndaj Republikës Islamike të Iranit, gjegjësisht ndaj personave dhe subjekteve të përfshirë në aktivitetet e raketave bërthamore apo balistike dhe personave dhe etniteteve që ofrojnë mbështetje për qeverinë e Iranit”, ka thënë Gashi.

Bashkë me këtë vendim, Qeveria miratoi sanksione të reja edhe ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.

Zv/ministrja Gashi tha këto sanksione janë në një linjë me SHBA-në dhe BE-në, në përpjekje për të kundërshtuar luftën në Ukrainë, derisa shtoi se po kështu, sanksionet e fundit lidhen edhe me vdekjen e opozitarit rus, Alexei Navalnyn.

“Në vazhdim të mbështetjes dhe në përputhje me sanksione e BE-së, propozojmë zbatimin e pakos së 12 dhe 13 të sanksioneve të BE-së për minimin dhe cenimin e integritetit territorial të Ukrainës dhe shkeljen e të drejtave në Federatën Ruse, që lidhen ngushtë me vrasjen e opozitarit rus, Navalny”, ka thënë Gashi.

Kosova ka qenë pjesë e shteteve perëndimore që kanë sanksionuar Rusinë për luftën në Ukrainë që kur nisi në vitin 2022.