Kosovarët me mendime të ndryshme rreth vendimit të Kosovës për hapjen e ambasadës në Kuds

Kosovarët me mendime të ndryshme rreth vendimit të Kosovës për hapjen e ambasadës në Kuds

Pasi Kosova dhe Izraeli nënshkruan marrëveshje për vendosjen e plotë të marrëdhënieve diplomatike midis të dyja vendeve, vendimi i Kosovës për të hapur ambasadë në Kuds, në drejtim të marrëveshjes në fjalë shkaktoi reagime të ndryshme.

Disa qytetarë të Kosovës shprehen optimist ndërsa të tjerë janë kundër sidomos nismës për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Kuds.

Në një prononcim për Anadolu Agency (AA) qytetari Behar Beqiri thotë se me rregulla të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) Kosova nuk do të duhej të hapte ambasadë në Kuds, por, ai është i mendimit se shteti më i ri i Evropës nuk do të duhej të hapte fare ambasadë në Izrael.

“Sipas mendimit tim, e që është edhe mendim i muslimanëve në përgjithësi, ambasadat nuk duhet të hapen në Izrael assesi. Izraeli është një tokë e pushtuar i cili në fakt është i gjithi Palestinë. Izraeli është një shtet i krijuar prej Botës së jashtme, apo prej Amerikës, kështu që, nuk ka të bëjë aspak me një shtet normal. Andaj, ne nuk e pranojmë hapjen e ambasadës qoftë në Kuds qoftë në Tel Aviv”, theksoi Beqiri.

Sejdi Halimi thotë se vendimin për vendosjen e ambasadës së Kosovës në Kuds e ka marrë Qeveria e Kosovës dhe SHBA-ja, ndërsa pas këtyre, ai thotë se fjala e një qytetari nuk beson se do të çonte peshë.

“Ju mund ta pyesni gjithë Kosovën, por, kur të vendosin Qeveria e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ‘aty vendoseni flamurin’ dhe nuk ka ndryshe”, thotë Halimi, i cili thekson se dëshira e tij është që pavarësinë e Kosovës ta njohin edhe mbi 100 shtete të tjera.

“BE-ja në raport me Kosovën nuk ka drejtë të përzihet”

Ilir Zeqiri thotë se sa i përket vendosjes së ambasadës së Kosovës në Kuds i ka penguar reagimi kundër i Bashkimit Evropian (BE). Sipas tij, BE-ja në raport me Kosovën nuk ka drejtë të përzihet, sepse nuk ua ka liberalizuar vizat qytetarëve, ndërsa kur është çështja e Kosovës në raport me vendet tjera “po kërcënon”.

“Mendoj se Kosova duhet ta shikojë interesin nacional dhe strategjik dhe ta hapë ambasadën aty ku ka interes më shumë”, thotë Zeqiri.

Sylë Hoti nga Prishtina, thotë se popujt e Kosovës dhe Izraelit kanë një histori të mirë të marrëdhënieve ndërsa thekson se nuk duhet shikuar se në cilin vend të Izraelit duhet të vendoset ambasada, por të shikohet zhvillimi dhe mirëqenia e qytetarëve.

“Kjo nuk ka të bëjë më shumë se a hapet ambasada aty apo atje, më shumë ka rëndësi se si të zhvillohemi, të punojmë për gjeneratat e ardhshme të ketë një jetë të mirë”, thekson Hoti.

Kosova nëpërmjet ministres në detyrë për Punë të Jasthme dhe Diasporë Meliza Haradinaj-Stublla dhe Izraeli nëpërmjet ministrit të Punëve të Jashtme Gabriel Ashkenazi nënshkruan më 1 shkurt marrëveshje për vendosjen e plotë të marrëdhënieve diplomatike midis të dyja vendeve.

Kjo marrëveshje sipas kryeministrit kosovar në detyrë, Avdullah Hoti, derivon nga Marrëveshja e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë në Washington, ku ai kishte komunikuar nëpërmjet telefonit me kryeministrin izraelit Benjamin Netananjahu.

Hoti dhe Haradinaj-Stublla theksuan pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje se tani mbetet që Kosova dhe Izraeli të zhvillojnë takime për të konkretizuar Ambasadën e Kosovës në Kuds.