police

Kosovë, arrestohet një person për të cilin Türkiye ka lëshuar fletarrest ndërkombëtar

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të drogës, i cili kërkohej nga INTERPOL-i në llogari të organeve shtetërore turke, transmeton Anadolu.

Njësia FAST-Kosova në bashkëpunim me zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Pejë dhe në koordinim me organe tjera të sigurisë kanë arritur të lokalizojnë vendndodhjen e më pas edhe ta arrestojnë personin e dyshuar.

“Personi i kërkuar, i cili kërkohej nga INTERPOL-i në llogari të organeve shtetërore turke, dyshohet se është i përfshirë në trafikim ndërkombëtar me lëndë narkotike. Lidhur me rastin do të ndërmerren masat sipas procedurave në raste të tilla”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Në njoftim theksohet se Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e të gjitha dukurive të kundërligjshme në vend përfshirë edhe forcimin e bashkëpunimit policor në rrafshin ndërkombëtar.