Policia e Kosovës do ta ketë më të lehtë t’i identifikojë automjetet e paregjistruara dhe pasiguruara të Kosovës pasi nga sot ka filluar ngjitja e “stickersave” në xhama të automjeteve, raporton Anadolu Agency (AA).
Nëpërmjet “stickerit” unik të secilit automjet, policia mund të ketë qasje elektronike në të dhënat e secilit automjet të regjistruar apo paregjistruar me vetëm një “skanim” .
Zëvendës/ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi tha se zbatimi i këtij memorandumi për vendosjen e ngjitëseve në xhama të automjeteve do t’i hapë rrugë Kosovës për t’u anëtarësuar në Kartonin e Gjelbër.
Durmishi tha se të gjitha shpenzimet e këtij projekti i ka marrë përsipër Byroja Kosovare e Sigurimit dhe qytetarët nuk duhet të paguajnë asgjë.
“Është një hap shumë i rëndësishëm, një hap shumë i madh me qëllimin e vetëm që nëpërmjet këtij projekti të ulim numrin e automjeteve të paregjistruara në Kosovë që është një pengesë jashtëzakonisht e madhe që ne më pastaj të anëtarësohemi në kartonin e gjelbër”, tha Durimishi.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti tha se kompanitë e sigurimit e kanë përkrahur këtë projekt, i cili siç tha ai, është në të mirë të vet qytetarëve.
“Mbi të gjitha është interes që të tkurren aksidentet me fatalitet të cilat janë shkaktuar kryesisht prej automjeteve të pasiguruara”, tha Mehmeti, duke shtuar se BQK do të vazhdojë t’i mbështesë projektet e tilla.
Në të dhënat personale nëpërmjet “stickersave” do të kenë qasje edhe policitë e vendeve tjera të Evropës, kur automjetet e regjistruara në Kosovë dalin jashtë shtetit.
Numri i automjeteve të paregjistruara në Kosovë për vite vazhdon të jetë një sfidë e madhe për institucionet. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), numri i automjeteve të paregjistruara në territorin e Kosovës është rreth 150 mijë. Ky ka qenë njëri nga faktorët që Kosova duhet ta zgjidhë përpara se të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Byrosë Evropiane që siguron Kartonin e Gjelbër.