
Kosovë, gjenden eshtra që dyshohet se mund të jenë të personave të zhdukur në luftë
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se në fshatin Obranqë të Podujevës janë gjetur eshtra që dyshohet se mund të jenë të personave nga lista e të zhdukurve me dhunë gjatë periudhës së luftës në Kosovë, transmeton Anadolu.
Sipas Komisionit, eshtrat e gjetura janë duke u ekzaminuar nga ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) me qëllim të identifikimit të saktë.
Këto gërmime po kryhen nga autoritetet kosovare në bazë të informacioneve të ndara nga qytetarët në fund të muajit janar.
“Sot, gjatë gërmimeve në fshatin Obranqë, Komuna e Podujevës, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Policinë e Kosovës, kanë hasur në eshtra që dyshohet se mund të jenë të personave nga lista e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Aktualisht, eshtrat e gjetura janë duke u ekzaminuar nga ekspertët e IML-së, me qëllim të identifikimit të saktë”, thuhet në njoftimin e Komisionit.
Sipas të dhënave ndërkombëtare rreth 13.535 persona janë vrarë apo zhdukur gjatë viteve 1998-2000 në Kosovë nga të cilët mbi 10 mijë persona kanë qenë civilë ndërsa 1.133 prej tyre kanë qenë fëmijë të vrarë apo të zhdukur.
Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, ende nuk dihet fati i më shumë se 1.600 të pagjeturve.