thumbs_b_c_9deb95f400abb50d6c39fa6b0c2159ca

Kosovë, hapet Panairi Ndërkombëtar “EXPOKOS”

Është hapur në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, edicioni i 23-të i Panairit Ndërkombëtar “EXPOKOS”, raporton Anadolu.

Ky panair i cili për 23 vjet nxit rritjen dhe inovacionin në sektorët e ndërtimit, energjisë, makinerisë, mbrojtjes e sigurisë, promovon bashkëpunimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili mori pjesë në hapjen e panairit, tha se panairët si ky janë të rëndësishëm për të njohur inovacionet në biznes, për krijimin e lidhjeve të reja dhe ndërtimin e partneriteteve afariste.

Kurti tha se në vitin 2023, industria e lehtë e përpunimit, përfshirë eksportin në pajisje elektrike, plastikë, dru dhe metal, ka përbërë mbi 43 për qind të eksporteve totale të Kosovës.

Sipas Kurtit, industria e përpunimit të drurit dhe metalit ofron mundësi premtuese për investime falë burimeve të pasura vendore dhe përvojës së konsoliduar të industrisë në Kosovë.

“Mos harroni se çdo dialog mund të hapë dyer për mundësi të reja në bizneset tuaja. Për sa i përket hapjes së dyerve, Kosova është një shembull i ndritur i hapjes së dyerve për gjithë qytetarët e saj, për bizneset e huaja, pa marrë parasysh nacionalitetin apo besimin e tyre. Ne duam që bizneset të fitojnë në Kosovë, e Republika e Kosovës të përfitojë prej tyre”, theksoi Kurti.

Organizatori i panairit, Bekim Xhafa, tha se viteve të kaluara “EXPOKOS” ka qenë me përbërje me rreth 70 për qind kompani tregtare dhe pjesa tjetër me kompani prodhuese, ndërsa tani janë rreth 70 për qind kompani prodhuese dhe pjesa tjetër tregtare.

Panairi “EXPOKOS” shërben si gur themeli i promovimit dhe zhvillimit ekonomik në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Fokusi i këtij edicioni vazhdon të jetë promovimi i kompanive vendore, duke ju mundësuar krijimin e bashkëpunimeve të reja në panairin që gëzon besueshmërinë dhe reputacion në tregjet evropiane dhe më gjerë.