Në gjithë territorin e Kosovës kanë hyrë në fuqi masat e reja të miratuara nga Qeveria për parandalimin e mëtutjeshëm të përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).
Qytetarëve të Kosovës u është ndaluar lëvizja nga ora 22:00 deri në orën 05:00, përpos rasteve urgjente.
Gastronomia, përfaqësuesit e së cilës kanë thënë se janë sektori më i prekur nga këto masa, janë mbyllur për konsumatorë, përpos mundësisë për t’i marrë pijet dhe ushqimet me vete nga kafenetë apo restorantet. Me vendim të Qeverisë, janë mbyllur edhe veprimtaritë e qendrave të mbyllura tregtare përveç shërbimeve në markete ushqimore dhe farmaci brenda tyre.
Pjesëtarë të policisë kanë dalë në sheshet e kryeqytetit Prishtinë, për të vëzhguar situatën sa i përket zbatimit të masave të reja nga qytetarët, bizneset dhe udhëtarët.
Institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar do kalojnë në mësim “online” nga 12 deri më 18 prill ndërsa ato universitare kanë kaluar në mësim online tashmë dhe do të qëndrojnë kështu deri më 18 prill, kur do të merret një vendim i ri nga Qeveria.
Vendimi qeveritar parasheh që edhe qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë, të kenë test negativ për COVID-19 të bërë në 72 orët e fundit.
Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën mbetet obligativ me masat e reja, përpos rasteve kur ngasësi i automjetit është me familjen e ngushtë, gjatë vrapit dhe çiklizmit si dhe gjatë ecjeve jashtë zonave të banuara.
Vendimi me 46 pika të ndryshme lidhur me parandalimin e përhapjes së pandemisë erdhi si pasojë e rritjes së numrit të rasteve pozitive dhe vdekjeve të cilat u regjistruan gjatë ditëve të fundit si pasojë e COVID-19.
Në Kosovë deri më tani pozitiv me COVID-19 kanë dalë 94.656 raste, nga të cilët 1.934 kanë humbur jetën ndërsa 78.702 raste janë shëruar.