Kosovë, inaugurohet për herë të parë rrjeti 5G

Kosovë, inaugurohet për herë të parë rrjeti 5G

Është inauguruar për herë të parë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor shtrirja e gjeneratës së pestë të teknologjisë së rrjeteve celulare pa tela, 5G, me emër “Qendra e Teknologjisë 5G – Testbed”, raporton Anadolu Agency (AA).

Qendra e Teknologjisë 5G – Testbed u përurua në kuadër të Kolegjit UBT, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe organizatave vendore dhe të huaja.

Kjo qendër, do të jetë një qendër kërkimi e cila lidh industrinë me teknologjinë e fundit, e krijuar si një mjedis unik testimi që bën të mundur hulumtimin e teknologjive të reja 5G dhe testimin e aplikacioneve të reja.

Drejtori i UBT-së, Edmond Hajrizi, tha se ky projekt është investim rreth 50-milionë-eurosh me ndihmë të organizatave të huaja, ndërsa thotë se shpreson se me të do të krijohen vende të reja të punës, si dhe do të përmirësohet cilësia e jetës së qytetarëve kosovarë.

Me këtë investim dhe teknologji ai thotë se Kosova nuk ka nevojë të ketë “ndjenjë inferioriteti” në relacion me zhvillimet e fundit teknologjike në rajon dhe botë.

“E kam parë që në Mbretërinë e Bashkuar qeveria ka dhënë mbështetje që të implementohet rrjeti 5G, po ashtu edhe në Gjermani e në Finlandë ku tashmë ka filluar edhe implementimi i rrjetit 6G, pra ata kanë vazhduar edhe me të ardhmen, dhe ne thamë që nuk mund të presim ngase transformimi po vazhdon dhe ne jemi pjesë e tij dhe në dy apo tre vitet e ardhshme do të jemi edhe më afër qyteteve të mençura (smart cities), veturave të mençura, spitaleve të mençura. Dhe, duke qenë se në universitetin tonë ka shumë qendra të inovacionit të teknologjisë, programe studimi e të ngjashme, duhej të reagonim për ta bërë këtë hap”, tha Hajrizi.

Drejtori i kabinetit të Kryeministrit të Kosovës, Luan Dalipi, tha se Kosova ende është në një fazë tranzicioni të teknologjisë. Ai theksoi se kosovarët duhet të fillojnë të besojnë se janë më të mirët në teknologji, së paku sa i përket rajonit.

“Inovacioni është rruga e vetme që duhet të ndjekim. Dhe COVID-19 na ka treguar se teknologjia dhe përdorimi i internetit janë absolutisht një nevojë. Por, pritjet e njerëzve tani kanë ndryshuar dhe fëmijët tanë presin të kenë internet më të shpejtë, por fatkeqësisht ne jemi në një gjendje tranzicioni dhe kemi nevojë t’ua mundësojmë studentëve të gjitha informacionet dhe kapacitete të mjaftueshme për zhvillim”, thotë Dalipi.

Rrjeti 5G është standardi i teknologjisë së gjeneratës së pestë i rrjeteve celulare me bandë të gjerë, i cili filloi së zbatuari në vitin 2019 dhe pasardhësi i rrjeteve 4G i cili ofron lidhje me shumicën e telefonave celularë aktualë. Avantazhi kryesor i rrjeteve të reja sikurse 5G është se do të kenë një gjerësi më të madhe, duke dhënë shpejtësi më të larta shkarkimi.