thumbs_b_c_f36f0ee5492f783e9f3348745d5a719b

Kosovë, komandanti i KFOR-it, Ulutaş, takoi kryeministrin Kurti

Komandanti i Misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, është takuar në Qeverinë e Kosovës me kryeministrin Albin Kurti, transmeton Anadolu.

Siç bëhet e ditur në njoftimin për media të KFOR-it, Ulutaş ka thënë se autoritetet e Kosovës duhet të shmangin veprimet e njëanshme që përkeqësojnë tensionet, pas operacionit të policisë ndaj ndërtesave të Bankës Postare Kursimore të Serbisë në veri të vendit.

“Veprimet e njëanshme që mund të përkeqësojnë tensionet duhet të shmangen dhe se duhet të ruhet koordinimi i duhur mes të gjithë aktorëve përkatës”, vuri në dukje Ulutaş.

Ulutaş, sipas njoftimit, përsëriti përkushtimin e palëkundur nga i gjithë personeli i KFOR-it për të vazhduar zbatimin e mandatit “për mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”.

Tutje komandanti i KFOR-it i ka thënë Kurtit se NATO-ja vazhdon ta mbështesë dialogun e ndërjmetësuar nga Bashkimit Evropian si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet me Serbinë, “për të mirën e të gjitha komuniteteve”.

Komandanti turk e bëri të qartë se “roli i KFOR-it vazhdon të jetë thelbësor për stabilitetin rajonal dhe se misioni i udhëhequr nga NATO ruan qëndrim fleksibël”, derisa kujtoi se KFOR-i është katërfishuar me trupa që pas tensioneve në veri vitin e kaluar.

Më 20 maj, Policia e Kosovës mbylli gjashtë njësi të Bankës Postare Kursimore në veri, të cilat kanë vepruar ilegalisht që nga paslufta. Në to u konfiskuan rreth 1.6 milionë euro.

Serbët e Kosovës paguheshin nga Banka Kursimore me paga, skema sociale dhe beneficione tjera të ndara nga shteti i Serbisë.

Ky aksion policor në koordinim edhe me Prokurorinë e Shtetit, u ndërmor pak ditë pasi dështoi takimi i shtatë në Bruksel për gjetjen e një zgjidhjeje sa i përket dinarit në mesin e komunitetit serb.

Sipas rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që u miratua në shkurt të këtij viti, valuta me të cilën mund të kryhen pagesat me para të gatshme është vetëm euro.