Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, pas manifestimit kryesor për nder të Ditës së Çlirimit të mbajtur në Prishtinë, raporton Anadolu.
Kurti tha se i janë përherë mirënjohës Shqipërisë për kontributin në Kosovë në të gjitha etapat. Sipas tij, presidenti Begaj duke qenë edhe ushtarak edhe mjek “e di shumë mirë 12 qershorin 1999”.
Presidenti Begaj, nga ana e tij, ka thënë se festa është e të dyja shteteve, derisa suksesi i Kosovës është edhe i Shqipërisë.
Begaj, i cili po qëndron në Kosovë për nder të Ditës së Çlirimit, tha se 12 Qershori është dita e rilindjes së Kosovës dhe e vënies në vend të asaj padrejtësie shekullore që u mundësua me gjakun dhe sakrificën e heronjve të UÇK-së.
Kurti dhe Begaj janë dakorduar se ashtu sikurse në dekadën e kaluar primare në bashkëpunimin ekonomik të të dyja vendeve ishte autostrada që lidhë të dyja shtetet, e njohur si Rruga e Kombit, për dekadën e ardhshme primare do të jetë hekurudha Prishtinë-Durrës.