Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin kanë diskutuar rolin e NATO-s në Kosovë dhe bashkëpunimin për sigurinë në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për kontributin e çmuar të NATO-s në Kosovë dhe rëndësinë e KFOR-it për siguri dhe stabilitet në rajon.
Ai ritheksoi përkushtimin e Kosovës për integrim në aleancën më të madhe të paqes e sigurisë në botë, NATO.
Po kështu, Kurti e njoftoi sekretarin e NATO-s për përmirësimin e situatës me pandeminë COVID-19, “si rezultat i menaxhimit të mirë institucional dhe për reformat e nisura në drejtësi e punësim”.
Duke biseduar për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), kryeministri theksoi punën dhe angazhimin e vazhdueshëm për avancimin e FSK-së në një ushtri moderne, në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ai shprehu gatishmërinë e FSK-së për zgjerimin e partneritetit me NATO-n, për t’i kontribuuar paqes dhe sigurisë në nivel ndërkombëtar.
Ndërkaq, sekretari Stoltenberg vlerësoi angazhimin institucional për të garantuar sigurinë në vend dhe shprehu përkushtimin e vazhdueshëm të misionit të NATO-s për mjedis të qetë dhe të sigurt në Kosovë.
Në takimin që u zhvillua në kuadër të vizitës njëditore në Kosovë të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ishin të pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, komandanti i KFOR-it, Franco Frederici, dhe bashkëpunëtorë të tjerë.
Stoltenberg para takimit me Kurtin u takua sot edhe me Presidenten ne Kosovës, Vjosa Osmanin, si dhe me ministrin për Komunitete dhe Kthim nga partia Lista Serbe, Goran Rakiq.
Stolteberg vizitën e tij e filloi në qendrën e KFOR-it në Prishtinë, ku u takua fillimisht me komandantin e KFOR-it, Franco Federici.