Kosovë, kryeparlamentari Konjufca priti në takim delegacionin e Unionit Arab

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur në takim delegacionin e Unionit Arab për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Mjedis, pjesëmarrës të Konferencës Ndërkombëtare Arabo-Evropiane, që do të mbahet më 7 dhe 8 maj në Prishtinë, organizuar nga Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) dhe Ministria e Mjedisit, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit me ta, Zyra e për Informim e Kryetarit të Kuvendit njoftoi se Konjufca i ka vlerësuar marrëdhëniet e mira me shtetet arabe, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim konkret në fusha të ndryshme me interes për Kosovën, si energjia, mjedisi dhe bujqësia.

Në këtë takim, delegacioni arab premtoi intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe thellimin e përkrahjes së Kosovës në projekte mjedisore dhe zhvillim të qëndrueshëm.​

Ata dje janë pritur edhe nga zëvendësministri i MPJD-së, Kreshnik Ahmeti, para pjesëmarrjes më 7 dhe 8 maj në konferencën me temë “Ndikimi i ndryshimeve klimatike në degradimin e tokës”.

Zëvendësministri Ahmeti theksoi se Kosova si shtet ka ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyera me vendet arabe.

Sekretari i Përgjithshëm i Unionit, Ashraf Abdel Aziz, duke e falënderuar Ahmetin për mikpritje, tha se thellimi i bashkëpunimit mes Kosovës dhe shteteve arabe është pikërisht arsyeja e vizitës në Kosovë si dhe organizimit të Konferencës Arabo-Evropiane.

Ai ka shprehur interesimin për hapa konkretë për bashkëpunim sidomos në fushën e energjisë të qëndrueshme, për të cilën ka thënë se kanë eksperiencë të kamotshme.

Gjithashtu përfaqësuesi i shtetit të Egjiptit nga ky delegacion, ka thënë se janë të gatshëm të bëjnë hapat e parë në krijimin e një lidhjeje bashkëpunimin në fushën e bujqësisë.

Zëvendësministri Ahmeti e ka informuar delegacionin për punën që Qeveria e Kosovës është duke bërë në finalizimin e strategjisë për energji, për ta kaluar atë në energji të qëndrueshme dhe për zhvillimin ekonomik që shteti i Kosovës ka shënuar në vitin e fundit.

Delegacioni do të qëndrojë në Kosovë deri më 10 maj 2022 dhe përfaqësuesit e këtij delegacioni do të zhvillojnë takime me udhëheqës të institucioneve të ndryshme të vendit si dhe do të realizojnë edhe vizita studimore nëpër Kosovë.