Kosovë, Kuvendi votoi qeverinë e re me kryeministër Albin Kurtin

Kosovë, Kuvendi votoi qeverinë e re me kryeministër Albin Kurtin

Shumica parlamentare e Kuvendit të Kosovës votoi për formimin e qeverisë së re të udhëhequr nga kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryeministër, Albin Kurti, partia e të cilit grumbulloi më shumë vota në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 14 shkurt, raporton Anadolu Agency (AA).

Me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim, nga gjithsej 120 deputetë sa ka Kuvendi gjithsej, Kurti zyrtarisht mori drejtimin e qeverisë së re.

Kurti para deputetëve të Legjislaturës së re të Kuvendit e cila u zgjodh paradite, shpalosi programin qeverisës, ku ndër të tjera ai foli për planin e tij të qeverisjes për të përmirësuar jetën e qytetarëve.

Kurti tha se rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian (BE) nuk ka alternativë, ndërsa sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, prioritet në këtë proces sipas tij do të jetë çështja e personave të zhdukur.

“Do të punojmë pa reshtur që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s dhe pjesë e Bashkimit Evropian sepse ndajmë vlerat dhe qëllimet e përbashkëta. Rruga drejt integrimit në BE mund të jetë sfiduese por ajo nuk ka alternativë për Kosovën. Ballkani Perëndimor duhet të demokratizohet përveç se duhet të zhvillohet”, theksoi Kurti.

Gjithashtu, pasi shpalosi programin qeverisës, Kurti prezantoi emrat e tre zëvendës-kryeministrave dhe 15 ministrave të kabinetit qeverisës: zv/kryeministër i parë për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi; zv/kryeministre e dytë dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla; zv/kryeministre e tretë për çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilja Rexhepi; Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati; Ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu; Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia; Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci; Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajurllah Çeku; Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi; Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu; Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci; Ministër i Mbrojtjes, Armend Mehaj; Ministër i Brendshëm dhe i Administratës Publike, Xhelal Sveçla; Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari; Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli; Ministër për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq; si dhe Ministër për Zhvillim Rajonal, Fikrim Damka.