Kosovë, mbahet marsh protestues në mbrojtje të jetëve të grave

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist – QIKA, Rrjeti i Grave të Kosovës, Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore, kanë organizuar marsh protestues në mbrojtje të jetëve të grave në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Marshi me rreth 200 protestues filloi përballë Ministrisë së Drejtësisë, vazhdoi tek Ministria e Punëve të Brendshme dhe përfundoi para selisë së Qeverisë së Kosovës me brohoritjet “Jeta e grave hajgare për shtetin”, “Krejt vrasësit e grave po ju dalin recidivistë”, “Policia i ka duart me gjak”, “Poshtë institucionet patriarkale”, etj., duke kërkuar dënime maksimale për dhunuesit e grave në Kosovë.

Njëra nga organizatoret e protestës, Bjeshka Guri, përmendi vrasjen e vajzës 18-vjeçare që ndodhi të dielën në qytetin e Ferizajt, si rast që sipas saj tregon se sa e pasigurt është jeta e vajzave dhe grave në Kosovë.

Ajo tha se kjo vrasje e 18-vjeçares Marigona Osmani, e shkaktuar nga i dyshuari D.K. (i arrestuar), i cili kishte 122 vepra penale por u la i lirë nga organet e drejtësisë, ka krijuar pasiguri tek shoqëria.

“Në të gjithë këtë situatë, përveç frikës kolektive që e bashkëndjejmë si gra, ne jemi të shqetësuara dhe të indinjuara me dështimin institucional për t’u dalë në mbrojtje grave. Edhe më të frustruara nga praktikat e fajësimit të grave edhe për së vdekuri për fatin e tyre”, tha Guri.

Ajo tha se dhuna ndaj grave është barrë e shtetit, për këtë arsye, tha se do të vazhdojnë të rezistojnë “kundër çdo pushteti që punon kundër tyre”, duke kërkuar nga institucionet llogari.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, para protestuesve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, tha se ka kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës inspektim urgjent të të gjitha veprimeve të policisë në rastin e vrasjes në Ferziaj.

Sveçla tha se tashmë është krijuar një grup pune brenda Drejtorisë së Policisë që do të hetojë në detaje gjithë lëndën e vrasësit të Marigonës dhe bashkëpunëtorit të vrasësit, që nga shkelja e parë e tyre ligjore deri tek vrasja e Marigona Osmanit, teksa nënvizoi se afatet e gjykimit për ta janë urgjente.

“Për mua është me rëndësi që kushdo që është fajtor të identifikohet dhe të vihet para drejtësisë. Nuk mjafton që vetëm këta dy kriminelë të vihen para drejtësisë për vrasjen e Marigona Osmanit. Të gjithë ata që kanë bërë lëshime në këtë rast duhet të vihen para përgjegjësisë. E, ata të cilët janë përgjegjës për shkeljet e rënda që kanë sjellë deri te vrasja e Marigonës duhet të vihen edhe para prokurorisë dhe gjyqësisë”, tha Sveçla.

Pas marsheve në dy institucionet e para, protestuesit kanë hedhur bojë të kuqe në derën e ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Në fund radhitën edhe disa kërkesa për institucionet e vendit, përfshirë monitorimin, sanksionimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve, policëve dhe prokurorëve që nuk i trajtojnë rastet me seriozitet dhe plan konkret nga Qeveria e Kosovës për luftimin e dhunës në baza gjinore dhe siguri për vajzat dhe gratë në çdo hapësirë.

Protesta e zhvilluar sot ndodh e shtyrë nga vrasja që u bë të dielën në Ferizaj, rast për të cilin tashmë janë arrestuar dy të dyshuarit kryesorë.

Sipas Gjykatës Themelore të Ferizajt, dhuna ndaj viktimës 18-vjeçare zgjati për dy ditë në banesën e të dyshuarit me motive xhelozie, deri në vdekjen e saj. Trupi pa shenja jete i vajzës u dorëzua nga dy të dyshuarit të dielën në Spitalin e Ferizajt, e cila u varros të martën pas autopsisë.