thumbs_b_c_db8e899230855ff9dbda991e643d99e0

Kosovë, mbahet për herë të parë simpozium për teknologjinë mjekësore

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHT) në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë kanë organizuar Simpoziumin e Teknologjisë Mjekësore, raporton Anadolu.

Ky Simpozium është i pari i llojit të vet që organizohet në Kosovë e në rajon dhe ka për qëllim të krijojë hapësira dhe mundësi shkëmbimi e bashkëpunimi mes specialistëve të teknologjisë mjekësore, me fokus tek zhvillimet e fundit në implantet ortopedike.

Në këtë ngjarje ku po marrin pjesë mjekë specialistë, profesorë, kirurgë dhe përfaqësues të industrisë së teknologjisë mjekësore nga Mbretëria e Bashkuar, krahas profesorëve, mjekëve dhe specialistëve të fushës nga Kosova, morën pjesë edhe ministra të kabinetit qeveritar të Kosovës.

Ministrja e MASHT-it, Arbërie Nagavci, tha se simpoziumi bashkon ekspertë të nivelit të lartë, hulumtues dhe profesionistë të industrisë së implanteve ortopedike dhe teknologjisë mjekësore për të diskutuar zhvillimet e fundit në këtë fushë shkencore.

Nagavci tha se për këtë çështje më së miri ndërthuren akademia me industrinë.

“Pa arsim nuk ka zhvillim dhe pa edukim nuk ka industri. Kjo është e vërteta historike që e shoqëron rrugëtimin e secilit individ të formuar”, theksoi Nagavci.

– “Ky simpozium është një hap i rëndësishëm për përparimin e kërkimeve shkencor”

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se sot po bëhet hapi i parë në një rrugë të gjatë në edukimin dhe rrjetëzimin e profesionistëve kosovarë dhe bërjen e teknologjisë si pjesë të pandashme në shkencat mjekësore.

Vitia theksoi se simpoziumi është mundësi e shkëlqyer për të ndarë të gjitha eksperiencat e fundit në këtë fushë dhe për të diskutuar sfidat dhe mundësitë që paraqiten përpara.

“Ky simpozium është një hap i rëndësishëm për përparimin e kërkimeve shkencore dhe rritjen e qasjes në teknologjitë më të avancuara mjekësore në sistemin tonë shëndetësor dhe përmes këtij simpoziumi ne nuk po krijojmë vetëm mundësi të reja për profesionistët tanë, por, po hapim dyer të reja për të ardhme më të shëndetshme dhe më të sigurt për qytetarët e Republikës”, theksoi Vitia.

Programi i simpoziumit do të përmbajë prezantime, kumtesa dhe panele diskutimi në lidhje me teknikat më të reja për përmirësimin e jetës së qytetarëve ku gjithashtu do të mundësohet bashkëpunimi i ngushtë mes institucioneve vendore dhe qendrave hulumtuese të Kosovës me kolegë dhe qendra homologe nga Mbretëria e Bashkuar.