Kosovë, mbahet takim për rishikimin e sektorit të pylltarisë

Është mbajtur takimi për “Rishikimin e Përbashkët të Sektorit të Pylltarisë në Kosovë”, si çështje urgjente për Qeverinë e Kosovës për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve, përmirësimin e jetesës në zonat rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik, raporton Anadolu Agency (AA).

Takimi për Rishikimin e Përbashkët të Sektorit të Pylltarisë në Kosovë i cili do të zgjasë dy ditë, ka për qëllim sjelljen së bashku të aktorëve të ndryshëm dhe partnerëve tjerë për të shqyrtuar dhe analizuar gjendjen aktuale të pyjeve dhe sektorit të pylltarisë si dhe të identifikojë mundësitë dhe sfidat në arritjen dhe shfrytëzimin e funksioneve dhe rolit ekonomik, social dhe mjedisor të pyjeve në Kosovë.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci tha se pyjet dhe toka pyjore mbulojnë gati gjysmën e territorit të Kosovës dhe ky fakt e bën Kosovën një prej vendeve më pyjore në nivel të Evropës.

Ai tha se si Qeveri, që nga fillimi i marrjes së mandatit kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm që korniza ligjore e këtij sektori të një rëndësie të veçantë të vendoset lartë në prioritete.

“Pyjet e Kosovës në aspektin ambiental dhe në aspektin ekonomik paraqesin një interes strategjik dhe përbëjnë një pasuri kombëtare shumë të rëndësishme dhe si e tillë duhet të trajtohet. Politikat, strategjitë dhe programet zhvillimore të sektorit pyjor janë komponente të politikave shumë të rëndësishme të Qeverisë aktuale në kuadër të programit që ne kemi hartuar”, tha Peci.

Sipas tij, është planifikuar që këtë vit Qeveria të prodhojë dokumentin e politikave sektoriale, strategjinë për zhvillimin e pylltarisë 2021-2030 përmes së cilës përcaktohen kahet e zhvillimit të sektorit për 10 vitet e ardhshme.

Zyrtari i FAO-s, (Organizata e Ushqimit dhe Agrikulturës e Kombeve të Bashkuara), Ekrem Yazici tha se është me rëndësi që të shihen kapacitetet pyjore nga perspektiva të ndryshme.

Ai tha se roli i FAO-s është lehtësimi i punës së Qeverisë për zhvillimin e këtij sektori.

“Ministri përmendi se gati gjysmën e territorit të Kosovës e përbëjnë pyjet dhe kjo është një mundësi e mirë, por fatkeqësisht forcimi i një sektori mund të jetë kërcënim për zhvillimin e sektorëve tjerë. Prandaj, na duhet një balancim, t’i shohim të gjitha nevojat dhe pritjet e komunitetit nga burimet pyjore në mënyrë që të sigurojë menaxhim të qëndrueshëm”, tha Yazici.

Në këtë takim ka marrë pjesë edhe koordinatorja për zhvillim e OKB-së në Kosovë, Ulrika Richardson, e cila tha se pylltaria nuk është vetëm një sektor, por një pasuri dhe resurs i çmuar.

Ajo tha se vetë fakti që gjatë pandemisë, shoqëria u fokusua tek pyjet për të gjetur një lloj “paqe” tregon rëndësinë që kanë ruajtja e pyjeve, të cilat nuk janë vetëm vlerë shoqërore por edhe ekonomike.

Ngjarja do të vazhdojë edhe të premten, më 25 qershor në terren, ku konkluzionet e rishikimit të përbashkët do të kontribuojnë për të identifikuar projektet e zhvillimit në të ardhmen dhe për të krijuar mundësi për investime shtesë në sektorin e pyjeve në Kosovë.