kfori

Kosovë, ndërron jetë ushtari turk i KFOR-it

Ka ndërruar jetë gjatë gjumit një ushtar turk i punësuar në Misionin e KFOR-it të udhëhequr nga NATO, i cili ishte pjesë e Ekipit Monitorues Ndërlidhës në Gjilan, transmeton Anadolu.

Siç njofton KFOR-i, shkaku i saktë i vdekjes së tij ende nuk është konfirmuar.

“Ushtari shërbeu me dallueshmëri dhe kontribuoi përmes shërbimit të tij të përditshëm në përpjekjet e vazhdueshme të KFOR-it drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovë. Përkushtimi dhe angazhimi i tij në mision do të kujtohen dhe nderohen gjithmonë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

KFOR-i po ashtu njoftoi se janë njoftuar me kohë edhe familjarët e ushtarit të ndjerë.

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka shprehur ngushëllimet e tij për rastin.

“Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për këtë humbje tragjike. Mendimet e mia janë me familjarët dhe miqtë e ushtarit të ndjerë. Humbja e tij ndihet në të gjithë komunitetin e KFOR-it. Ne do ta nderojmë kujtimin e tij përmes përkushtimit tonë të palëkundur ndaj misionit të KFOR-it”, shkroi Ulutaş.