Kosovë, në pikën kufitare Merdare ndalohet futja e materialit për referendumin e Serbisë

Policia e Kosovës ka ndaluar të premten në mbrëmje në pikën e kalimit kufitar në Merdare një kamion me targa serbe të ardhur nga Serbia në drejtim të Kosovës i cili kishte të ngarkuar material që dyshohej se do të përdorej për referendumin e 16 janarit në Serbi, me synim edhe në komunat me shumicë serbe të Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit të Policisë, në këtë pikë kufitare kanë ardhur tri automjete (një veturë dhe dy kamionë) me targa të Serbisë, në të cilat kanë qenë gjashtë persona.

Ndërkaq, njësitet policore gjatë realizimit të detyrave dhe procedurave-kontrolleve që zbatohen gjatë kalimeve kufitare, “kanë vërejtur se në kamion kishte të ngarkuar material që dyshohej se përdoret për referendumin që pritet të mbahet në Serbi”.

“Bazuar në informacionet zyrtare, detyrat dhe autorizimet policore, është ndaluar hyrja në RKS e këtij materiali i cili po transportohej pa leje përkatëse. Në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, dy mjetet transportuese (kamionët) janë dërguar tek autoritet kompetente doganore, ndërsa pas intervistimit personat me automjetin e tyre janë kthyer mbrapa në Serbi”, njofton Policia e Kosovës.

Sot gjatë ditës kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në emër të Qeverisë po kundërshton mbajtjen e referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës pavarësisht thirrjeve të Bashkimit Evropian (BE), vendeve të QUINT-it dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për diskutimin e kësaj çështjeje në Kuvendin e Kosovës.

Për Qeverinë e Kosovës, serbët me shtetësi të dyfishtë (të Kosovës dhe Serbisë) mund të votojnë në këtë referendum vetëm me postë ose nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, e cila gjendet në ndërtesën e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Prishtinë, dhe jo duke hapur qendra votimi të Serbisë në komunat e Kosovës, ashtu siç po kërkon Beogradi zyrtarë.

Serbia më 16 janar do të mbajë referendum për ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me fushën e drejtësisë, ku do të deklarohen nëse pajtohen me ndryshimin kushtetutës në pjesën ku flitet për mënyrën e zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve.