Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka takuar sot përfaqësuesit e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) dhe të Trustit të Kursimeve Pensionale, ku për temë diskutimi kishin përgatitjet lidhur me zbatimin e Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës, në një konferencë për media pas këtij takimi, kryeministri Hoti ka bërë të ditur se nga kjo e premte, qytetarët e Kosovës mund të aplikojnë për tërheqjen e 10 për qind të kursimeve të tyre pensionale nga Trusti i Kursimeve Pensionale.
“Është përgatitur edhe sistemi, është hapur ueb-faqja dhe të premten në orën 3 pasdite hapet sistemi për qytetarë për të aplikuar për tërheqjen e këtyre kursimeve. Besoj që sistemi në bazë të përgatitjeve që janë bërë është plotësisht i sigurt dhe është i përgatitur ashtu që të përballojë fluksin, çfarëdo fluksi që mund të ketë nga ana e qytetarëve për tërheqje të këtyre mjeteve”, tha Hoti.
Ai tha se është i kënaqur me këtë arritje “në veçanti tash në festat e fund vitit me këtë pandemi, ku plot familje, plot qytetarë të kenë buxhetin minimal për familjet e tyre dhe që t’i ndikojnë ekonomisë”.
Hoti theksoi gjithashtu se kanë biseduar që BQK të komunikojë me Fondin për Garantim të Kredive përmes Ministrisë së Financave, në mënyrë që sa më parë të fillojë zbatimi i Ligjit për Rimëkëmbje edhe në pjesën që lidhet me garantimin e kredive për bizneset. Për këtë ai nënvizoi se Qeveria do të marrë përsipër të gjitha obligimet që parashihen me ligj.
Mundësia për tërheqjen e 10 për qind të kursimeve nga Trusti u bë nëpërmjet Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike i cili u votua me shumicë votash në Kuvendin e Kosovës të premten e 4 dhjetorit.
Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës njoftoi sot gjatë ditës se aplikimi për tërheqjen e këtyre mjeteve do të hapet faqja adekuate nga e premtja. Për aplikim do të kërkohen numri pensional i personit dhe numri i llogarisë bankare. Për aplikim për tërheqjen e këtyre mjeteve do të jenë në dispozicion 4 muaj.