thumbs_b_c_07e8d58405f3e55a9651ecc56686add9

Kosovë, paga minimale rritet në 350 euro

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit ka marrë vendim që nga 1 tetori i vitit 2024, paga minimale të rritet në 350 euro si dhe ka miratuar projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, raporton Anadolu.

Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti konsideroi se me hyrjen në fuqi të Ligjit për pagën minimale, më në fund u hap rruga që edhe zyrtarisht të rritet paga minimale pas një pritjeje prej 13 vjetësh.

Ai tha se me miratimin e propozimit nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, niveli i ri i pagës do të jetë 2 euro për punë të rregullt, apo 350 euro bruto në muaj për punë me orar të plotë dhe se paga minimale do të jetë e liruar nga tatimi.

Pas miratimit nga kabineti qeveritar të këtij propozimi, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në një konferencë për media, tha se paga minimale po rritet pas më shumë se 13 vjetësh e pa ndryshuar, kur ishte përcaktuar niveli 170 euro si pagë minimale në muaj.

Ai tha se Ligji i Punës e parasheh që ndryshimi të bëhet për orë të punës dhe jo për pagë mujore, ngase kështu do të bëhej problematike çështja e atyre që punojnë me orar të pjesshëm.

“Përcaktimi i pagës minimale tashmë është bërë për orë pune, që nënkupton 2 euro për orë pune të rregullt, si dhe nëse kjo përkthehet në pagë mujore me orar të plotë, atëherë rezulton me nivelin 350 euro pagë mujore minimale bruto”, theksoi Murati.

Murati tha se në mënyrë që ky vendim të zbatohet në plotni, do të sigurohen që si ministri bashkë me agjencitë vartëse të bëjnë kontrolle rutinore apo edhe përmes kontrolleve në rastet kur ka sinjalizime se një gjë e tillë nuk po zbatohet.

Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, duke folur për projektligjin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, tha se kanë analizuar të gjitha sfidat dhe mangësitë e sistemit shëndetësor dhe kanë studiuar praktikat më të mira ndërkombëtare për të krijuar ligj i cili u përgjigjet nevojave të qytetarëve të Kosovës.

“Ky projektligj është hapi themelor drejt krijimit të sigurimeve shëndetësore në vend. Ky natyrisht është një proces tashmë i pakthyeshëm dhe si të tillë po e nisim nga sot, nga mbledhja e qeverisë. Me këtë nismë pra do të themelohet fondi i sigurimit shëndetësor të detyrueshëm shëndetësor të Republikës së Kosovës”, theksoi Vitia.

Ai tha se për kontributin në sigurim shëndetësor pas miratimit të këtij projektligji në Kuvend do të paguajnë barabartë, punëtori me 3.5 për qind të pagës si dhe punëdhënësi me 3.5 për qind të tjera.

Qeveria e Kosovës në këtë mbledhje gjithashtu miratoi edhe propozimin e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, për shtyrjen e afatit të regjistrimit të diasporës, në kuadër të regjistrimit të popullsisë, deri më 31 dhjetor 2024.

Ministrja Gërvalla në arsyetimin e saj bëri të ditur se ditëve të fundit ka pasur një dinamikë me rreth 3 mijë regjistrime në ditë, andaj shtyrja bëhet me qëllim që të mos ndalet kjo dinamikë.

Sipas rezultateve preliminare nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, numri i qytetarëve të regjistruar të Kosovës që jetojnë në diasporë është rreth 600 mijë.