thumbs_b_c_7546dd0976bc3dae3e8f787a2003bc2e

Kosovë, përkujtohet rreshteri Afrim Bunjaku në përvjetorin e rënies

Nën patronazhin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, në Prishtinë është mbajtur akademi përkujtimore në nder të veprës së “Heroit të Kosovës”, rreshterit policor Afrim Bunjaku, i cili humbi jetën më 24 shtator 2023 në një sulm në Banjska të Zveçanit, raporton Anadolu.

Në këtë akademi përkujtimore mori pjesë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministra të kabinetit qeveritar, pjesëtarë të familjes Bunjaku, udhëheqës dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ambasadorë të vendeve të huaja, deputetë dhe qytetarë.

Kryeministri Kurti tha se heroi Afrim Bunjaku ra si dëshmor i ruajtjes së lirisë dhe mbrojtjes së sovranitetit me ligj. Ai theksoi se Serbia me “sulmin terrorist të organizuar në veri kishte synim aneksimin e një pjese të territorit të Kosovës”.

“Serbia duhet të përgjigjet sepse është përgjegjëse për sulmin në Banjska, andaj ajo duhet të mbajë përgjegjësi politike dhe të bashkëpunojë me Kosovën dhe Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për nxjerrjen para drejtësisë të kryerësve të këtij akti agresioni, në një proces të drejtë gjyqësor në vendin tonë”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, Serbia si shtet autokratik dhe hegjemonist, synon territore me një “taktikë hibride dhe me ndërgjegje morbide”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhela Sveçla, nga ana e tij, tha se 24 shtatori është një datë e re që i është shtuar kalendarit të historisë së Kosovës. Ai tha se “sulmi terrorist” i 24 shtatorit dhe rënia e Bunjakut ishin kthesë që ndryshuan rrethanat në Kosovë dhe më gjerë.

“Puna e Afrimit dhe secilit pjesëtarë policor në veriun e vendit tonë ka bërë të mundur asgjësimin e grupeve kriminale e terroriste, kthimin e normalitetit në atë zonë dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët tanë”, theksoi Sveçla.

Arbenita Bunjaku, e bija e heroit Afrim Bunjaku, në një fjalim para të pranishmëve tha se është e vështirë të vazhdohet jeta pa babanë. Ajo tha se krenaria e madhe për babanë bënë që të vazhdohet përpara.

“Një vit pa ty babi, hero i Kosovës, një vit me plotë sfida, një mungesë që shkon e rritet ku asgjë nuk e përmbushë boshllëkun që ke lënë brenda nesh”, theksoi ajo.

Rreshteri Afrim Bunjaku ra heroikisht si pasojë e shpërthimit të një mine të aktivizuar nga distanca nga pjesëtarë të grupit që sulmuan Policinë e Kosovës më 24 shtator 2023 në Banjska të Komunës së Zveçanit.

Për sulmin ndaj Policisë së Kosovës e ka marrë përgjegjësinë ish-politikani serb në Kosovë, Milan Radoiçiq. Autoritetet në Serbi refuzojnë ta ekstradojnë Radoiçiqin në Kosovë, pavarësisht se Kosova po e kërkon një gjë të tillë dhe ka ofruar mbrojtje për të.

Në Kosovë organet e drejtësisë më 11 shtator ngritën aktakuzë kundër 45 personave lidhur me sulmin në Banjska, përfshirë edhe Milan Radoiçiqin. Seanca e parë dëgjimore me disa prej pjesëmarrësve të sulmit terrosit në Banjska, pritet të fillojë ditën e nesërme, më 25 shtator.