Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kryetarin e Komunës së Mamushës, Abdülhadi Krasniç, ministrin e Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, Ambasadorin e Türkiye-s, Sabri Tunç Angılı dhe të ngarkuarin me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, Keisuke Yamanaka, përuruan Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Mamushë, raporton Anadolu.
Ky projekt është një investim i rëndësishëm për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në zonën përreth, në vlerë prej 757.608 euro, prej të cilave 90 për qind financim nga Ministria e Shëndetësisë dhe pjesa tjetër nga Komuna e Mamushës. Ky objekt ka një infrastrukturë moderne për ofrimin e shërbimeve shëndetësore.
QKMF-ja e përuruar do të ofrojë shërbime laboratorike dhe shërbime të diagnostikës, dhe është e pajisur me aparatin për rëntgen, i cili është siguruar si donacion nga Ambasada Japoneze. Ajo ka dy dhoma për dhënien e terapisë intravenoze, barnatore dhe kushte të përshtatshme për stafin mjekësor, derisa krahas shërbimeve tjera, ofron edhe shërbimin stomatologjik.
Kryeministri Kurti i uroi banorët për QKMF-në e re dhe falënderoi komunën për bashkëpunimin dhe ambasadën japoneze për donacionin.
“Në çdo cep të Republikës pa dallim do të vazhdojmë të investojmë në infrastrukturën shëndetësore që të ofrojmë shërbime cilësore dhe kushte të dinjitetshme, sikurse për profesionistët tanë ashtu edhe për qytetarët tanë pa dallim. Investimet e tjera, specifikisht këtu në Mamushë nuk po mungojnë, e nuk do të mungojnë asnjëherë, por do të shtohen gjithsesi”, tha ai.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia theksoi se hapja e Qendrës kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë është pjesë e angazhimit të përbashkët e të përditshëm për ta sjellë kujdesin shëndetësor sa më afër qytetarëve, duke e bërë qasjen në këto shërbime më të lehtë, më cilësore, më të përballueshme, më të shpejtë për të gjithë dhe pa dallim.
Vitia shtoi se janë edhe katër qendra të tjera që po punohet nëpër komunat e Kosovës, me investim shumicën nga Ministria e Shëndetësisë.
Kryetari i Komunës së Mamushës, Abdülhadi Krasniç, falënderoi kryeministrin Kurti për mbështetjen jo vetëm për objektin e Qendrës së Mjekësisë Familjare, por, siç tha ai, edhe mbështetjen e madhe në sigurimin e ujit të pijshëm.