thumbs_b_c_a7a4f93826df440001e230864a17512c

Kosovë, policia gjen sërish armë dhe municion në veri

Policia e Kosovës – Drejtoria Rajonale e Mitrovicës së Veriut ka gjetur armë dhe municion në kulmin e një ndërtese në pjesën veriore të Mitrovicës, të banuar me shumicë serbe, transmeton Anadolu.

Policia e Kosovës nëpërmjet njoftimit zyrtar bëri të ditur se fillimisht ka pranuar informacione mbi dyshimet për armë dhe municion dhe më pas menjëherë ka ndërmarrë veprime.

“Njësitet policore kanë ndërmarrë veprimet e menjëhershme, ku kanë kryer një kontroll në rrugën Kralj Petri në Mitrovicë Veri. Gjatë kontrollimit nën një kulm të një ndërtese janë gjetur armë, municion dhe pajisje të ndryshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Dëshmitë të cilat janë gjetur dhe janë konfiskuar sipas policisë janë një AK-47, pesë karikatorë me municion të AK-47, 136 fishekë të AK-47, një çantë krahu, dy radiolidhje të dorës, një radiolidhje për veturë, dy mbushës radiolidhjesh dhe një tytë shtesë e AK-47.

Sipas policisë, deri në këtë fazë të hetimeve janë kryer disa intervistime të personave në këtë ndërtesë, ku të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Gjatë kësaj jave policia rajonale e Mitrovicës së Veriut gjeti granata, armatim, municion dhe uniformë ushtarake edhe në Zveçan, të cilat i pa me dyshimin se mund të lidhen me rastin e sulmit në Banjska, i cili ndodhi më 24 shtator 2023 në Komunën e Zveçanit.