IMG_3656

Kosovë, presidentja Osmani takon kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të edicionit të dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka pritur në takim kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, raporton Anadolu.

Siç njofton Zyra e Presidentes, Osmani e ka quajtur Maqedoninë e Veriut shtet fqinj dhe njëkohësisht shtet mbështetës i Kosovës.

Osmani në takim me Xhaferin tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut mund t’i shkëmbejnë përvojat në procesin e integrimit evropian dhe në të njëjtën kohë shfaqi bindjen se ky shtet do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën evropiane.

Në këtë kontekst, presidentja Osmani tha se Kosova llogarit në përkrahjen e mëtejme të Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, sikurse edhe në NATO, BE dhe organizata ndërkombëtare.

Në prag të votimit në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, kryeministri Xhaferi, njoftoi presidenten Osmani se “mbështetja e Maqedonisë së Veriut është e plotë”.

Gjithashtu bëhet e ditur se në këtë takim, ndër të tjera u diskutua edhe për finalizimin e pikave të përbashkëta kufitare përpara fillimit të sezonit veror, sikurse edhe lehtësimin e të bërit biznes.