Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) nëpërmjet një tubimi ka promovuar Klinikën për Ndihmë Juridike Falas, e cila ka për qëllim ofrimin e ndihmës për kategoritë e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, raporton Anadolu.
Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti tha se Klinika për Ndihmë Juridike Falas do të jetë në ndihmë të të gjithë përfituesve që i qasen kësaj qendre, me idenë për t’u futur në listën e përfituesve nga shteti, qoftë për statusin si e mbijetuar e dhunës seksuale, qoftë për qasje në drejtësi, qoftë për çështje administrative.
Ajo tha se një rast i kësaj kategorie nuk mund të ballafaqohet me proceset gjyqësore apo me çështje të tjera sa i përket realizimit të drejtësisë, nëse nuk është mentalisht dhe fizikisht në rregull të dëshmojë në këto procese.
“Shërimi dhe drejtësia nuk mund të shihen si procese të ndara. Ato duhet të shkojnë tandem me njëra tjetrën dhe duhet të kemi formë të integruar për të pasur rezultat pastaj qoftë për të mbijetuarat e dhunës seksuale apo përfituesit tjerë, të arrijnë të dëshmojnë sukses”, theksoi Rushiti.
Fisnik Mehmeti, i cili prezantoi funksionin e kësaj klinike para të pranishmëve, tha se vizioni i kësaj klinike është ofrimi i ndihmës juridike falas, duke kontribuar në qëndrueshmërinë dhe fuqizimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale.
“Ndërsa, misioni i Klinikës për Ndihmë Juridike Falas është që të ofrojë shërbime juridike profesionale dhe empatike për të mbijetuarit e dhunës seksuale specifikisht, mirëpo duke përfshirë edhe grupe tjera të ndjeshme që janë pjesë e listës së përfituesve në mënyrë që të sigurojmë të drejtat e tyre për qasje në drejtësi dhe duke mbështetur udhëtimin e tyre drejt shërimit dhe integrimit shoqëror”, theksoi Mehmeti.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë konsiderohet se rreth 20 mijë persona kanë qenë viktima të dhunës seksuale. Më 14 prill në Kosovë shënohet Dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, e cila përkon me ditën kur Vasfije Krasniqi-Goodman, në atë kohë 16-vjeçe, u rrëmbye nga një polic serb dhe u dërgua në fshatin Babimost, ku u dhunua seksualisht.
Qeveria e Kosovës në muajin shkurt të vitit 2018 ka filluar procesin e regjistrimit të statusit të individëve të dhunuar gjatë luftës dhe verifikimin e tyre. Deri më tani janë aprovuar rreth 1.500 raste prej të cilave rreth 70 raste të dhunës seksuale i përkasin gjinisë mashkullore.
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), është themeluar më 1999 si rezultat dhe reagim ndaj torturave, traumave të shumta që popullata kosovare ka pësuar gjatë luftës së vitit 1999. Target Grupi i kësaj qendre janë personat e traumatizuar gjatë luftës në Kosovë dhe personat e privuar nga liria.