![Kosovë, qytetarët presin unitet politik dhe zhvillim ekonomik nga zgjedhjet e 9 shkurtit Kosovë, qytetarët presin unitet politik dhe zhvillim ekonomik nga zgjedhjet e 9 shkurtit](https://cdnuploads.aa.com.tr/uploads/Contents/2025/02/06/thumbs_b_c_78c6468c0b91f4fd70654f5d5d215d8a.jpg?v=130048)
Kosovë, qytetarët presin unitet politik dhe zhvillim ekonomik nga zgjedhjet e 9 shkurtit
Në prag të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, qytetarët presin unitet politik dhe zhvillim ekonomik të vendit nga qeveria e re që do të dalë nga zgjedhjet.
Në opinionin e tyre të shprehur për Anadolu qytetarët thanë se këto zgjedhje, të cilat janë të parat të rregullta që nga paslufta, janë me rëndësi dhe se vota duhet të vendoset me maturi dhe përgjegjësi.
Ekonomisti në pension, Ramë Zenuni, thotë për Anadolu se ana pozitive në Kosovë është që gjithmonë zgjedhjet kanë qenë demokratike dhe fer dhe se nuk ka pasur keqpërdorime. Ai thotë se fushata aktuale është më e elektrizuar dhe më agresive dhe nganjëherë edhe me fjalor ofendues që, siç thotë ai, nuk i shkon asnjë partie politike.
“Gjërat duhet t’i prezantojmë me program tek populli për atë se çfarë ofron secili, e jo me ofendime, me gjëra të tjera. Prandaj, unë do të kisha sugjeruar që t’i largohen sa më shumë ofendimeve, të ofrojnë programe konkrete. Mendoj se edhe këto ofertat që po i prezantojnë këto parti janë pak të ekzagjeruar, sepse gjithmonë duhet të shihen mundësitë sa janë dhe sipas mundësive t’i ndajnë edhe mjetet”, theksoi Zenuni.
Zenuni shprehet se partia politike në pushtet, me përjashtim të çështjes së shtrirjes së ligjit në veri të Kosovës, në proceset ekonomike, në arsim dhe zhvillime të tjera është i pakënaqur.
– KQZ ka certifikuar 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë
Ndërkaq, Shabani, qytetar nga Prishtina, thotë se pjesëmarrja në zgjedhjet e 9 shkurtit është shumë me rëndësi për ta forcuar Republikën e Kosovës, e cila sipas tij, ka nevojë për ndryshime dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët.
“Tani për tani unë personalisht pres që të merren vesh të gjitha partitë në Kosovë që ta kenë një harmoni mes tyre dhe bashkëpunim, që të zgjidhin problemin më të madh, atë të kufijve të Kosovës. Sa i përket çështjes ekonomike në Kosovë, këto zgjedhje janë të mirëseardhura, sepse Kosova ka nevojë për njerëz që do ta zhvillojnë vendin tonë”, theksoi ai.
Edhe qytetari Fatmir Mucolli thotë se qeveria e re e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit duhet ta ketë një program që është në interes të të gjithë qytetarëve.
Ai thotë se pushtetarët nuk duhet të mendojnë vetëm për çështjen e tyre, sepse kështu vendi do të jetë në prag të dështimit.
“Urojmë që më të mirët të fitojnë. Ta gjejnë forcën të majtët dhe të djathtët, të bashkohen dhe t’i dalin zot këtij vendi. Të ndahen nga gjuha e urrejtjes, hasmëria, nga inatet dhe xhelozia dhe poshtërsia që i ka kapluar”, thekson ai.
Më 11 janar, në Kosovë filloi fushata zgjedhore që do të zgjasë deri më 9 shkurt, derisa për këto zgjedhje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë.
Qytetarët do të mund të zgjedhin një subjekt politik dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë, ndryshe nga votimet e kaluara kur mundësia ishte të zgjidheshin deri në pesë kandidatë.
Numri i përgjithshëm i votuesve është 2.075.868, prej të cilëve 104.924 janë regjistruar për votim jashtë vendit.