thumbs_b_c_b1b6d549eeb944df57b1578364a02773

Kosovë, qytetarët raportojnë rritje të tatimit në pronë në vitin 2023

Banorët e qyteteve të Kosovës, kanë shprehur pakënaqësi dy ditët e fundit se tatimi në pronë për vitin 2023 u ka ardhur dyfish më shtrenjtë në krahasim me vitin 2022, raporton Anadolu Agency (AA).

Komunat e Kosovës kanë bërë përgjegjës për rritjen Ministrinë e Financave për vlerësimin e ri të pronave, ndërsa ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike të Kuvendit të Kosovës ka thënë se me këtë vlerësim “komunat kanë qenë të pajtuara”.

Murati në komisionin parlamentar menjëherë është pyetur nga kryetarja e këtij komisioni, Hykmete Bajrami, se kush është përgjegjës për këtë rritje të çmimit, derisa Murati tha se tatimi në pronë është e hyrë e komunave dhe Qeveria nuk ka interes të ndërhyjë në këtë mes.

“Shkallët tatimore i përcaktojnë komunat, kurse Ministria e Financave e ka obligimin ligjor t’i asistojë Komunat ta bëjnë vlerësimin e pronave”, theksoi Murati.

Ai tha se nga tatimi në pronë asnjë cent nuk e merr as Qeveria as Ministria e Financave, dhe se të gjitha mjetet shkojnë për komunat dhe është interes i komunave t’i mbledhë tatimet.

Ministri, i cili lëshoi mbledhjen e komisionit, tha në fund se sa i përket çështjes së shkallëve tatimore, pragu i saj është përcaktuar në ligjin e miratuar në vitin 2018, derisa shtoi se ministria do t’i shikojë mundësitë që “ta bëjnë të tejkalueshme situatën”.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, tha se Komuna e Prishtinës nuk ka bërë rritje të normave tatimore, por tha se ajo çfarë ka ndryshuar është vlerësimi i pronave të Komunës së Prishtinës.

Edhe kryetari i qytetit të dytë më të madh në vend, Prizrenit, Shaqir Totaj, tha se dyfishimi i faturave të tatimit në pronë po rritet në krizën më të madhe të çmimeve në 15 vitet e fundit dhe se “është e vështirë të kuptohet dhe e pamundur të arsyetohet”.

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka thënë se komunat nuk e kanë ngritur normën tatimore, por është bërë rivlerësimi i pronave nga Departamenti përkatës i Ministrisë së Financave dhe Transfereve dhe me këtë rast është rritur vlera e pronave bazuar edhe në çmimet e tregut.

“Fatura e tatimit në pronë përmban dy elemente mbi bazën e të cilave përcaktohet shuma e kësaj pagese: Vlera e pronës për metër katror (m/2), e cila përcaktohet nga Ministria e Financave dhe Transfereve (Departamenti i Tatimit në Pronë) dhe norma tatimore e cila përcaktohet nga Komunat”, thuhet në reagimin e tyre së fundmi.