Kosovë, shënohet 40 vjetori i demonstratave të studentëve shqiptarë në vitin 1981

Kosovë, shënohet 40 vjetori i demonstratave të studentëve shqiptarë në vitin 1981

Me rastin e 40 vjetorit të demonstratave të marsit të viti 1981 të organizuara nga studentët shqiptar në ish-Jugosllavi, është mbajtur konferenca shkencore “Demonstratat e vitit 1981 – Sinjalizimi i Botës për shkeljen e të drejtave të njeriut në Jugosllavi”, raporton Anadolu Agency (AA).

Konferenca e cila u organizua në Bibliotekën Kombëtare nga Instituti Shkencor Kosovaro-Suedez dhe Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë, kishte për qëllim shpalosjen e ngjarjeve paraardhëse dhe pasardhëse si dhe vetë qëllimin e protestave të vitit 1981 dhe jehonën që bëri kjo ngjarje në botë.

Në fjalën e saj hyrëse, drejtoresha e Institutit Shkencor Kosovaro-Suedez, Salihe Salihu, theksoi se demonstratat e vitit 1981 ishin një ngjarje historike që përcaktoi dhe drejtoi rrugën e nevojshme për popullin shqiptar në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në kërkim të të drejtave të tyre brenda Jugosllavisë.

“Demonstruesit paqësorë u ngritën me mjete paqësore por kundër tyre u ushtrua një dhunë, u ushtrua një gjenocid me të cilën u deshën dy dekada të luftojnë dhe të bëjnë përpjekje për ta finalizuar kërkesën e vet për Republikën dhe tashmë shtetin e pavarur”, tha Salihu.

Historiani Ibrahim Gashi, në fjalën e tij përmendi disa nga studiuesit dhe gazetat e atëhershme të cilët kishin shkruar dhe reaguar për ngjarjet paraardhëse dhe pasardhëse që lidheshin me të drejtat e shqiptarëve dhe demonstratat e vitit 1981.

Ai tha se kjo demonstratë ishte evoluim i natyrshëm që erdhi në radhë të parë si rezultat i ngritjes së emancipimit të përgjithshëm dhe pjesëmarrjes shumë më të madhe të shqiptarëve në jetën institucionale dhe ekonomike të vendit.

“Demonstratat e studentëve shqiptarë të Kosovës duhet parë edhe nga një dimension tjetër. Pra, si pikënisje e një lëvizjeje erozive për shpërbërjen e Jugosllavisë federale dhe të një fryme nacionaliste për krijimin e shteteve të pavarura kombëtare, apo siç do ta konsiderojë akademik Rexhep Qosja: Parathënie të ngjarjeve që do të sjellin ndryshime historike, krizën e ideologjisë komuniste dhe në fund përmbysjen e saj, krizën e federalizmit jugosllav dhe në fund shpërbërjen e saj, krizën Ballkanike dhe në fund rindërtimin e një rendi të ri politik e shtetëror”, theksoi Gashi.

Sipas Gashit, Kosova në kohën kur nisën demonstratat sapo kishte dalë nga faza e analfabetizmit të lartë në popull dhe tanimë “nuk kishte familje pa një student apo të punësuar në sektorin publik”, gjë e cila ndikoi në zëvendësimin e elitës shqiptare të vjetër me një të re e cila punoi më shumë për afirmimin e vlerave kombëtare.

Në 11 marsin e vitit 1981 studentët shqiptarë të Universitetit të Prishtinës organizuan një demonstratë masive, si përgjigje kundër dhunës që u përdor për të shtypur protestat spontane të studentëve, ku ata kërkonin trajtim dinjitoz dhe ushqim, në mensën e studentëve, në datën 4 mars 1981.

Edhe më 4 mars por edhe më 11 mars, shërbimi policor jugosllav pas intervenimeve brutale ndaj studentëve të revoltuar paraburgosi një numër të madh studentësh shqiptar, ndërsa kishte edhe të vrarë.

Shqiptarët nga krahina të ndryshme në ish-Jugosllavi i dhanë mbështetje të madhe demonstratave të nisura nga studentët, të cilat vazhduan edhe më 26 mars si dhe në fillim të prillit 1981. Ata u përkrahën nga shtresa të ndryshme të shoqërisë dhe me profesione të ndryshme, ku më pas kërkesave për dinjitet në kushtet e trajtimit të studentëve dhe për ndaljen e dhunës policore, shtuan edhe kërkesën për të drejta politike të shqiptarëve.