[There are no radio stations in the database]

Kosovë, thirrje e re për bojkotimin e supermarketeve

Një thirrje e re për qytetarët e Kosovës po bëhet për të bojkotuar supermarketet më 15 mars, për shkak të rritjes së çmimeve, raporton Anadolu.

Nën organizimin e Iniciativës qytetare “Kosova Bojkoton”, organizatorët e kësaj thirrjeje gjatë ditës vendosën një pankartë në një nga ndërtesat e sheshit “Skënderbeu” me mbishkrimin “15 mars, Kosova bojkoton të gjitha supermarketet”.

Një nga organizatorët e kësaj iniciative, Xhevat Kastrati, u bëri thirrje qytetarëve që t’i bojkotojnë supermarketet për të treguar fuqinë blerëse.

“Kur të gjithë bashkohemi në bojkot, dërgojmë një mesazh te marketet dhe qeveria se jemi shumë të pakënaqur dhe po ashtu e bëjmë një lloj presioni shoqëror për të pasur një reagim”, tha ai, duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve që t’i bashkohen bojkotit.

Kjo është hera e dytë që caktohet një datë për bojkotin e supermarketeve në Kosovë, pas datës së 10 shkurtit.

Organizatorët tani konsiderojnë se kanë një mobilizim shumë më të madh krahasuar me herën e parë, ku në rrjete sociale, ata vazhdimisht publikojnë çmime enorme të produkteve duke i krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian, të cilat kanë standard më të lartë por produkte më të lira ushqimore.

Ndryshe, bojkoti ndaj supermarketeve nisi fillimisht në Kroaci dhe u përhap në vende të tjera të Ballkanit në fund të muajit të kaluar, duke përfshirë Slloveninë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Malin e Zi, Bosnjë dhe Hercegovinën dhe Shqipërinë.


[There are no radio stations in the database]