Kosovë, tre të arrestuar të dyshuar për vrasjen që ndodhi në Gllogjan të Deçanit

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, nëpërmjet një konference të jashtëzakonshme për media, ka bërë të ditur se janë arrestuar tre persona lidhur me vrasjen që ndodhi më 26 nëntor në Gllogjan të Komunës së Deçanit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kurmehaj tha se tre personat janë të dyshuar për veprën penale të vrasjes së rëndë, ndërsa prokurorja e rastit ka lëshuar vendim për mbajtjen në paraburgim të tyre për 48 orë.

“Pas ndodhjes së këtij rasti kemi filluar hetime intensive së bashku me Prokurorinë e Shtetit dhe njësitet policore dhe pas punës intensive janë arrestuar tre persona me dyshimin se kanë kryer vepër penale të vrasjes së rëndë që ndodhi para disa ditësh në Gllogjan”, tha Kurmehaj.

Kryeprokurori Kurmehaj bëri të ditur se bëhet fjalë edhe për një person të katërt të dyshuar lidhur me veprën penale të njëjtë, por që vazhdon të jetë në arrati.

Kurmehaj tha se duke marrë parasysh ndjeshmërinë e rastit, nuk mund të japin informatat e tjera të cilat mund ta dëmtojnë hetimin që po vazhdon të zhvillohet.

“Ne do të vazhdojmë me intensitet të shtuar ndërmarrjen e të gjitha hapave të nevojshme për ndriçimin e gjithë kësaj ngjarje”, përfundoi ai.

Mbrëmjen e 26 nëntorit të këtij viti, tre persona mbetën të vdekur dhe një u plagos në një autobus që po barte udhëtarë nga Gjakova drejt Deçanit, si pasojë e sulmit me armë zjarri ndaj tyre. Dy nga viktimat ishin nxënës të shkollës së mesme dhe njëri ishte shoferi i autobusit, ndërsa i plagosuri i cili po ashtu ishte nxënës i shkollës së mesme ishte jashtë rrezikut për jetën.

Autori-ët e këtij akti, të cilët sipas policisë gjuajtën me armë zjarri të llojit AK-47, u arratisën menjëherë pas kryerjes së veprës dhe megjithëse ishte bërë thirrje që ata të dorëzoheshin, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Qeveria e Kosovës, bashkë me policinë, njoftuan më 28 nëntor se do të ofrojnë një shpërblim prej 20 mijë eurosh për këdo që jep informacion që mundëson arrestimin e autorit apo autorëve të vrasjeve në Gllogjan.