Kreu i Çështjeve Fetare të Turqisë (Diyanet), Ali Erbaş tha se “Populli ynë u bashkua në namazin e sabahut. Lexuam pjesë nga Kurani dhe u lutëm në xhamitë tona që viti 2022 të jetë i mbarë dhe i dobishëm për të gjithë njerëzit”, raporton Anadolu Agency (AA).
Erbaş mori pjesë në takimin “Të lutemi familjarisht dhe si popull në namazin e sabahut” në Xhaminë e Madhe Ajasofja (Ayasofya-i Kebir Cami-i Şerifi) dhe pas leximit të pjesëve nga Kurani, drejtoi faljen e namazit të sabahut. Në takim pati një interes të lartë ku qytetarët që nuk mundën të gjenin vend brenda xhamisë mbajtën safet (radhët) jashtë saj.
Në një fjalim drejtuar qytetarëve pas namazit, Erbaş vuri në dukje se shumë njerëz në të kaluarën u përpoqën për çlirimin e Stambollit. “Por, këtë lajm të mirë e dha Fatih Sulltan Mehmeti. Ajasofja, ky tempull në të cilin ndodhemi dhe i cili priti ditën e sotme për 86 vite, me hapjen e saj në muajin korrik para një vit e gjysmë u takua me muslimanët në qendër të Stambollit si një simbol i çlirimit, si një trashëgimi e çlirimit. Ajo u bashkua vitin e kaluar me besimtarët e saj dhe u rihap sërish për adhurim”.
“Këtë mëngjes në këtë xhami e cila është simboli i çlirimit përkujtuam edhe çlirimin e Mekës. Përkujtuam profetin”, tha Erbaş, duke shtuar më tej:
“Ashtu si iu dha mundësia të dërguarit të Allahut për çlirimin e Mekës, edhe paraardhësve tanë iu dha mundësia për çlirimin e Stambollit. Jemi mbledhur në Ajasofja, e cila është simbol i çlirimit. Krijuesi ynë na e bëftë të mbarë ditën, na e bëftë të mbarë vitin dhe na e bëftë mbarë çlirimin. Lutemi të na ruajë nga çdo problem dhe sëmundje”.
Pas fjalimit të Erbaş-it, myftiu i Stambollit prof. dr. Safi Arpaguş kreu lutjen.
Në një deklaratë për AA pas aktivitetit, kreu i Çështjeve Fetare të Turqisë (Diyanet), Ali Erbaş vuri në dukje se vitin e kaluar për shkak të pandemisë në të gjithë botën u shkaktuan probleme të mëdha. “Jemi lutur që viti 2022 të bëhet shkak për eliminimin fillimisht të kësaj sëmundjeje pandemike”, tha Erbaş.
Tubime në namazin e sabahut në të gjitha xhamitë
Erbaş tha se populli është mbledhur në namazin e sabahut në të gjithë xhamitë e Turqisë.
“Populli ynë u bashkua në namazin e sabahut. Lexuam pjesë nga Kurani dhe u lutëm në xhamitë tona që viti 2022 të jetë i mbarë dhe i dobishëm për të gjithë njerëzit. Gjithashtu kemi vlerësuar edhe 1 janarin, çlirimin e Mekës. Kishim dëshirë që këtë vit ta fillonim me një frymë, me një emocion të ri lidhur me çlirimin”, tha ai.
“Në xhamitë tona kemi përkujtuar islamizimin e mijëra rajoneve pas çlirimit të Mekës. Falëm namazin e sabahut me mijëra vëllezërit tanë në Ajasofja e cila është simbol i çlirimit. Allahu e pranoftë. Uroj të na mundësojë të gjithë neve që të përgatisim të rinj me frymë çlirimi. Ju uroj një ditë, një mëngjes dhe një vit të mbarë”, tha Erbaş.