Rtv Pendimi

‘KRIMI I JAKËS SË BARDHË’ APO ‘KRIMI I ÇALLMËS SË BARDHË’

Ngjarjet e fundit në Kosovë me jehonën të cilën e krijuan na mësuan apo më mirë të them na imponuan kuptimin ndryshe të krimit, terrorit, shpërlarjes së parave, etj. Po të mos ndodhte ajo që ndodhi, nuk kishim pasur për ta ditur se pasuria e hoxhës quhet ‘shpërlarje e parasë’, ndërsa pasuria (e majme) pushtetarëve quhet ‘fitim hallall’. Tani e tutje nuk bën të habitemi nëse Qeveria e Kosovës (MASHT) do të formojë komisione për të ndërhyrë edhe në tekstet (juridike) e kode penale për të dhënë shpjegimet ‘e drejta’ të këtyre emërtimeve, përndryshe studentët shumë lehtë mund të dështojnë në provime, si pasojë e mosnjohjes së këtyre definicioneve. Megjithatë, lutemi që kjo të mos ndodhë.

A kemi menduar ndonjëherë pse shkalla e varfërisë në Kosovë është shumë e lartë, pse janë analfabetë 4.18 përqind në popullsinë mbi 15 vjeç, ndërsa në mesin e grave 5.07 për qind, pse në çdo 50 të punësuar nuk punësohet një me aftësi të kufizuara (ashtu siç e parasheh ligji), pse priviligjohet komuniteti serb në krahasim me komunitetet tjera, pse presidenten ia zgjedh Amerika, e jo ata vetë, pse e ndajnë qytetin në veri dhe jug, pse janë i vetmi vend në Evropë që akoma nuk e ka fituar liberalizimin e vizave, pse edhe tre muaj pas zgjedhjeve ende nuk po arrijnë ta formojnë qeverinë, pse nuk po i gjejnë të zhdukurit, pse veteranët e luftës jetojnë në mjerim, dhe shumë e shumë pse të tjera. Sadoqë është e madhe shumëllojshmëria e pse-ve, sepse-të kanë një emërues të përbashkët, e ai gjendet në pjesë e parë të titullit.

Por, kush fshihet pas një rinie, të cilën sot e ke më respektuese të prindërve se sa më herët, sot e ke më larg nga dukuritë degjeneruese të shoqërisë kosovare, sot e ke më të përkushtuar për mësim e dije, sot e ke më bamirëse se shumë të pasur të tjerë, sot e ke më afër nevojave të hallexhinjëve, sot e ke më të familjarizuar, sot e ke më respektuese të të moshuarve në mesin e tyre dhe shumë aspekte pozitive të cilët ata i transmetojnë aty ku janë. E gjithë përgjigja gjendet në pjesën e dytë të titullit.

Tani për akterët kryesorë që urdhëruan arrestimin, unë nuk di si të lutem: “O Zot, fali sepse ata nuk e dijnë se ç’bëjnë!”, apo “O Zot, mos i fal, se ata e dinë se ç’bëjnë!”

Hoxhë Valdet Kamberi

TË NGJAJSHME