Magjia-

KRIMI I SIHRIT (MAGJISË)

O muslimanë, udhëzimi është dhuratë e Allahut dhe me të e begaton atë që do nga robërit e Tij. Allahu na urdhëroi që ta ruajmë këtë begati nga çdo gjë që ia humb shkëlqimin dhe ia dëmton vlerën, mirëpo ka nga njerëzit, të cilët e shitën fenë e tyre lirë, pa qenë të kënaqur nga ajo që Allahu u caktoi nga fatkeqësitë e sprovat, për ta apo për të tjerët. Kjo i bëri ta shesin fenë e tyre tek sihirbazë, dhe magjistarët e fallxhorët, duke i pyetur ata për fshehtësitë, apo të kërkuarit nga ta që t’ju bëjnë tjerëve sihër e magji dhe me të t’i dëmtojnë njerëzit dhe shoqëritë.

Sihri është vepër që përmban shumë mëkate të mëdha që ta shkatërrojnë fenë, si kërkimi ndihmë nga xhindet dhe shejtanët, frika e zemrës nga të tjerët jashtë Allahut, largimi i mbështetjes nga Allahu dhe shkatërrimi i jetës së shumë njerëzve dhe dobive të tyre. Sihri është sebep për shkatërrimin e shumë familjeve, shtëpive dhe shoqërive.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Largojuni shtatë (mëkateve) shkatërruese. Thanë cilat janë ato, o i Dërguar i Allahut? Tha: Shirku, magjia, mbytja e njeriut pa të drejtë e që e ka ndaluar Allahu, ngrënia e kamatës, ngrënia e pasurisë së jetimit, kthimi i shpinës kur takohen dy palët (ikja nga fronti) dhe shpifja ndaj grave të ndershme muslimane”.

Shejtani e nxit fortë magjistarin t’i bën sihër robërve të Allahut. Allahu thotë: “Dhe njerëzit mësuan nga këta të dy se si t’i ndajnë bashkëshortët” (El-Bekare: 102); “E megjithatë, njerëzit mësojnë ato gjëra që i dëmtojnë e nuk u bëjnë dobi”. (El-Bekare: 102) Kjo nuk do të thotë se çdo sihër ndikon tek njeriu! Sa magjistarë kanë lidhur nyje dhe nuk ka pasur ndikim tek njeriu. Allahu thotë: “Por magjistarët nuk mund t’i bëjnë dëm askujt pa lejen e Allahut”. (El-Bekare: 102) Dëmi dhe dobia janë në dorën e Allahut. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Dije se po nëse gjithë njerëzit tubohen, pajtohen që ty të të bëjnë një të keqe, nuk do të mund të bëjnë përpos asaj që Allahu për ty ka caktuar”.

O muslimanë, magjistari është njeriu më i fëlliqur dhe me moral më të keq, me zemër më të ligë, i përafërt me shejtanin, rob i tij, nuk e do të mirën, dëmtues i shoqërisë, i përshkruar me cilësitë më të nënçmuara, dhe mashtrues i atyre që vijnë tek ai, duke i mashtruar me lajmet që ua jep. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se kur ajo e pyeti të Dërguarin, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, për fallxhorët ai u përgjigj se ata nuk ishin asgjë. Ajo pastaj përmendi se fallxhorët ndonjëherë u thoshin gjëra që ishin të vërteta. I Dërguari, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Kjo është një pjesë e të vërtetës të cilën xhini e vjedh dhe e llomotit në veshin e shokut të tij, por ai e përzien atë me 100 gënjeshtra”.

Magjistarit sihri i tij nuk ka mundësi t’i plotësohet, vetëm se atëherë kur i bën kufër Allahut. I Dërguari, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush bën sihër vetëm se ka bë shirk”.

E përmendin dijetarët se kjo është argument se magjistari është mushrik, ngase sihri nuk mund të veprohet pa bërë shirk.

Magjistari e do pasurinë, madje fortë, dhe i mashtron njerëzit për hir të saj. Kur kërkoi Faraoni nga magjistarët të ballafaqohen me sihër me Musain, alejhi selam, ata kërkuan nga ai pasuri. Allahu thotë: “Dhe kur erdhën magjistarët e Faraonit, thanë: “A do të shpërblehemi, nëse fitojmë?” Faraoni tha: “Po, dhe do të jeni nga më të afërmit e mi”. (El-A’raf: 113-114)

Magjistari i mashtron njerëzit dhe i thërret në shirk. I urdhëron të prenë kurban për shejtan dhe i urdhëron të lidhin hajmali, me pretekst se ajo i bën dobi dhe ua largon dëmin. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kush mban apo lidh hajmali vetëm se ka bërë shirk (idhujtari)”.

Ata që shkojnë tek ai, i mashtron duke i bindur se i di sëmundjet dhe problemet e tyre, me qëllim që t’ua përfiton zemrën dhe po ashtu i mashtron ata që shkojnë tek ai me shënimin e ajeteve të Kur’anit nëpër fleta të ndryshme.

Dëmi i magjistarit është i madh për shoqërinë. Veprat e tij janë errësirë e rëndë. Plot nga njerëzit i ka futur në shirk, i ka shkatërruar shumë shtëpi të lumtura, e ka ndarë burrin dhe gruan që janë dashur mes vete, shumë fëmijë të pafajshëm për shkak të sihrit të tij e kanë shijuar hidhëtinë e jetës, janë ballafaquar me ndarjen e prindërve të tyre, dhe kjo ka qenë shkak i devijimit të tyre. Sa njerëz të shëndoshë magjistari ka qenë sebep i të sëmurit të tyre, sa të varfër janë zhytur nëpër borxhe duke i dhënë magjistarit të holla, kinse t’ua largojnë problemet e tyre?! Sa të holla haram dhe të kota i ka ngrënë magjistari duke pretenduar se e ka ilaçin dhe se e njeh fshehtësinë?! Sa njerëz i ka nxjerrë nga feja duke i besuar lajmërimeve të tij, kinse nga fshehtësitë, të cilat nuk i dinë përveç se Allahu?! I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kush i afrohet magjistarit apo parashikuesit dhe e pyet për diçka dhe i beson asaj që e thotë, vetëm se e ka mohuar atë që i ka zbritur Muhamedit”.

Për shkak të rrezikut të dëmit të magjistarit mbi muslimanët, u caktua vendimi për ta që t’u prehen qafat, me qëllim që shoqëritë të rehatohen nga sherri i tyre. Omer ibën Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, u shkroi punëtorëve të tij që të mbysin çdo magjistar dhe magjistare.

Kjo në dynja, kurse shpërblimi i tyre në ahiret është hyrja në Xhehenem, ku Allahu thotë: “Në të vërtetë, ata e dinin se ai që e përvetësonte këtë mjeshtëri, nuk do të kishte kurrfarë të mire në jetën tjetër”. (El-Bekare: 102)

O ju muslimanë, kush troket në derën e magjistarit që të bën sihër për të, vetëm se e ka shitur fenë e tij me dynjanë e tij, dhe e ka zëvendësuar dritën e besimit me errësirën e zemrës. Nëse njeriu e pëlqen këtë vepër edhe pse nuk e vepron, është i njëjtë në mëkat, sikurse ta kishte vepruar. Një ndër dhjetë gjërat të cilat e nxjerrin muslimanin nga Islami, është edhe veprimi i sihrit apo të kënaqurit me këtë vepër. Allahu thotë: “Në të vërtetë, ata e dinin se ai që e përvetësonte këtë mjeshtëri, nuk do të kishte kurrfarë të mire në jetën tjetër”. (El-Bekare: 102)

Shkuarja tek magjistari e hidhëron Allahun, i bën padrejtësi krijesës dhe e dëmton dynjanë dhe fenë e njeriut. Prandaj, ti i cili kërkon që t’i veprohet ndokujt sihër, mos u bëj kurban i magjistarit që të nxjerr nga feja jote. Rikujtoje se dynjaja është e shkurtër dhe se ti do të jesh i vetëm në varr, pra pendohu sinqerisht dhe pastroje zilinë e zemrës tënde duke i bërë mirë të tjerëve dhe shkatërroi nyjat nëse i ke bë sihër, ndokujt para se të vjen dënimi i Allahut mbi ty.

Atij që i bëhet sihër është i dëmtuar rëndë dhe Allahu ka mundësi që t’ia zëvendësojë atë begati mbi të cilën ka pasur zili, me diçka edhe më të mirë. Allahu i sprovon robërit e Tij për t’ua ngritur gradat dhe për t’i pastruar nga gjynahet. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kujt Allahu ia do të mirën e sprovon”.

O ti që je i sprovuar me sihër, mos u pikëllo për atë që të goditi. Allahu e sprovon robin e Tij që ta afron kah Ai. Mos u zemëro për atë që të goditi dhe mos u dëshpëro nga ajo që Allahu e caktoi për ty. Kjo ka mundësi të jetë shkak për lumturinë tënde. Allahu thotë: “Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju”. (El-Bekare: 216)

Duaja e të dëmtuarit pranohet. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Tri lutje (dua) janë të pranuara pa dyshim: lutja e atij mbi të cilin bëhet padrejtësi, lutja e udhëtarit (mysafirit), si dhe lutja e prindit për fëmijën e vet”.

Nëse bën durim dhe i frikohesh Allahut, për ty do të ketë përfundim të mirë. Allahu thotë: “Fundi i lumtur u takon atyre që i frikësohen Allahut”. (El-A’raf: 128)

Shpeshtoje lutjen e Junusit, alejhi selam, i cili tha: “LA ILAHE IL-LA ENTE SUBHANEKE INNI KUNTU MIN EDH-DHALIMIN”. ( Nuk ka Zot pos Teje. Ti je i pastër, nuk ke të meta. Unë i bëra padrejt vetes!).  I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Muslimani nuk lutet me këtë lutje për ndonjë gjë, e të mos i pranohet lutja”.

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë se është vërtetuar se kush e thotë shtatë herë, Allahu ia largon problemin e tij.

Bëje duanë: “Ina lilahi ue ina ilejhi raxhiun, Allahume exhurni fi musibeti ue hluf li hajran minha” (Të Allahut jemi dhe tek ai do të kthehemi, O Allah më shpërble për këtë fatkeqësi dhe ma kompenso atë me një më të mirë se atë që kisha). Kjo le të jetë e shpeshtë në gjuhën tënde. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush e thotë këtë lutje, Allahu do ta shpërblejë për këtë fatkeqësi dhe do t’ia zëvendësojë me diçka më të mirë”.

Kapu edhe për istigfarin, ngase istigfari t’i largon brengat dhe t’i lehtëson vështirësitë.

O ti që je i sprovuar me sihër, për ty më mirë është që je i dëmtuari se sa i padrejti. Prandaj mbështetu Zotit tënd, shpeshtoje istigfarin dhe lutjet dhe dije se lehtësimi i Allahut është afër. Mjerë për ty nëse dëshpërohesh nga mëshira e Allahut!!

Kur njeriu është i afërt me Allahun, nga ai largohen belat dhe sherri. Përmendja e shpeshtë e Allahut, është nga shkaqet e ndalimit dhe pengimit të sihrit. Përkujdesja për namazet, e sidomos namazi i sabahut me xhemat është mburojë nga sherret. Surja Bekare është e bereqetshme. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Lexojeni suren Bekare! Mësimi i saj është bereqet, kurse lënia e saj është humbje, dhe ai që e lexon nuk mundet t’i bëjnë dëm magjistarët”.

Leximi i sures Felek dhe Nas në mëngjes dhe mbrëmje, janë sebep për mbrojtje nga sihri. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e ka porosit Ukbe ibën Amir, Allahu qoftë i kënaqur me të, duke i thënë: “Kërko mbrojtje me to. Nuk ka njeri që ka kërkuar mbrojtje me diçka më të mirë se sa me to”.

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nevoja e njeriut të kërkon mbrojtje me ato dy sure, është më e madhe se sa nevoja e tij për ujë, dhe ushqim, dhe veshje”.

Kush i lexon natën dy ajetet e fundit të sures Bekare i mjaftojnë ato nga sherret. Kush i ha shtatë hurma nga lloji axhve, e mbrojnë nga sihri. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush ha në mëngjes shtatë hurma të llojit axhve, në atë ditë nuk do t’i bëjë dëm, as helmi, e as sihri”.

Jeni të kujdesshëm nga mëkatet, llojet muzikës dhe veglave muzikore. Ato janë sebepi kryesor për afrimin e shejtanëve në shtëpi. Nëse njeriu i largohet përmendjes së Allahut, atëherë shumë lehtë i afrohen shejtanët dhe e dëmtojnë. Prandaj shpeshtoni leximin e Kur’anit, merruni me adhurime.

Kur’ani është shërim nga të gjitha sëmundjet, kurse përmendja e Allahut e mbron robin nga çdo gjë që do ta dëmton, dhe ia zgjeron gjoksin dhe ia qetëson zemrën: “Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!”. (Er-Ra’d: 28)

Shejh Dr. Abdulmuhsin El Kasim

Nga arabishtja: Irfan JAHIU