Rtv Pendimi

KRONIKA E BARDHË DHE E ZEZË (HUTBE)

Të gjithë kemi dëgjuar për kronikën e zezë. Aty lajmet kanë të bëjnë me krime e me gjëra të rënda.

Por a keni dëgjuar për kronikë të bardhë!? Kronikën e zezë e shohim, dëgjojmë apo edhe lexojmë rreth saj, ndërsa e bardha është tek Allahu, sepse për të pak promovohet.

Sido që të jetë, njerëzit janë ata që e mbushin kronikën e bardhë e edhe të zezën. Për çdo ditë, aty shkruhen emra të burrave e të grave.

Vëllezër, ne i kemi disa ligje të Zotit, që nëse nuk ecim sipas tyre, patjetër kjo kronikë e zezë do të mbushet.

Nuk ka mundësi që njeriu të bëjë vepra të zeza, e mos ta mbush kronikën e zezë!

Pra nuk ka mundësi ta lejojmë alkoolin apo rakinë, e mos të ketë kronikë të zezë.

Nuk ka mundësi ta zhveshim vajzën nga veshja e nga turpi, e mos të ketë kronikë të zezë.

Jo, nuk ka mundësi. Ky është ligj i Zotit.

Të ndalemi pak te alkooli apo rakia, si dhe ato gjërat e ngjashme me të, qoftë narkotikë apo diç tjetër. Të gjitha këto e kanë dispozitën e njëjtë me alkoolin apo edhe më të rëndë, sepse këto janë edhe më të këqija se vet alkooli.

Allahu thotë:

﴿يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُوٓاْ إِنَّمَا ٱلۡخَمۡرُ وَٱلۡمَيۡسِرُ وَٱلۡأَنصَابُ وَٱلۡأَزۡلَٰمُ رِجۡسٞ مِّنۡ عَمَلِ ٱلشَّيۡطَٰنِ فَٱجۡتَنِبُوهُ لَعَلَّكُمۡ تُفۡلِحُونَ٩٠﴾

“O ju që besuat, s’ka dyshim se vera (alkooli), bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar.” (Maide, 90)

 

Pastaj thotë:

﴿إِنَّمَا يُرِيدُ ٱلشَّيۡطَٰنُ أَن يُوقِعَ بَيۡنَكُمُ ٱلۡعَدَٰوَةَ وَٱلۡبَغۡضَآءَ فِي ٱلۡخَمۡرِ وَٱلۡمَيۡسِرِ وَيَصُدَّكُمۡ عَن ذِكۡرِ ٱللَّهِ وَعَنِ ٱلصَّلَوٰةِۖ فَهَلۡ أَنتُم مُّنتَهُونَ٩١﴾

“Shejtani nuk dëshiron tjetër, përveç se nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedh armiqësi mes jush, t’ju pengojë nga të përmendurit Zotit dhe t’ju largojë nga namazi. Pra, a po i jepni fund (alkoolit e bixhozit)?” (Maide, 90)

 

Po, rakia të çon te kronika e zezë. Ajo është vepër e shejtanit, ajo futë armiqësi mes jush…

Mos rastësisht keni dëgjuar se dikush i dehur, ka dhënë sadaka, apo se ka bërë një vepër të mirë.

Jo, madje as nuk do të dëgjoni.

Kur jemi tek haramet, Allahu na ka mësuar se haramave duhet t’ua ndërpresim rrugën:

﴿ وَلَا تَتَّبِعُواْ خُطُوَٰتِ ٱلشَّيۡطَٰنِۚ إِنَّهُۥ لَكُمۡ عَدُوّٞ مُّبِينٌ١٦٨﴾

“E mos i pasoni hapat e shejtanit, ngase ai është armik i hapët i juaji.” (Bekare, 168)

Ne e dimë se rinia, nuk fillojnë drejtë me alkool, por fillimisht me birra. Po ashtu së pari fillojnë me duhan, e pastaj bien edhe në narkotikë.

Po, kjo është rruga. Dal ngadalë, shejtani ua zbukuron haramet, shkallë-shkallë, deri tek ato më të rëndat.

Pyeti ata që kanë rënë në narkotikë, se si e kanë filluar dhe ku kanë përfunduar. Këtë rrugë do ta tregojnë. Së pari duhani, pastaj narkotiku.

Ngjashëm janë edhe hapat e parë të zinasë apo amoraliteti, apo të lidhjeve jashtëmartesore.

Hapi i parë është zhveshja. Ne mund ta quajmë me emra të ndryshëm: zhvillim, emancipim, përparim…

Por, rezultati është një: prishja e familjes. Dhe nuk ka mundësi të kemi rezultat pozitivë.

Po, prej që bijat tona zhvishen, nuk kemi parë ndonjë zhvillim, ndërsa lajmet e kronikës së zezë, sigurisht se janë shtuar.

Shikoni o vëllezër, Allahu i Madhëruar na e lavdëron turpin, madje edhe në të ecur. Allahu na e përmendi njërën nga ato dy motrat, të cilave u ndihmoi Musai ﷺ , kështu që për njërën tha:

﴿فَجَآءَتۡهُ إِحۡدَىٰهُمَا تَمۡشِي عَلَى ٱسۡتِحۡيَآءٖ ٢٥﴾

“… Njëra prej tyre, erdhi tek ai (Musai) dhe teksa po ecte i vinte turp.” (Kasas, 25)

Allahu po e lavdëron këtë grua që po ecte me turp.

Allahu në një ajet tjetër i tregoi gruas edhe detajet e veshjes.

﴿ وَلۡيَضۡرِبۡنَ بِخُمُرِهِنَّ عَلَىٰ جُيُوبِهِنَّۖ ٣١﴾

“… Le të vejnë shamitë mbi kraharorin e tyre…” (Nur, 31)

Po deri në këto detaje e mësoi gruan. Sepse gruaja nuk është fusnotë tek ne, porse është shumë e shtrenjtë dhe shumë me vlerë.

Nëse e rregullojmë dhe e ndreqim gruan, do të rregullohet edhe shoqëria.

Në anën tjetër, e kemi kronikën e bardhë.

Po o vëllezër, gjithmonë do të ketë burra e gra që do ta mbushin kronikën e bardhë. Nëse nuk jam unë e ti, dije se Allahu do të dërgojë njerëz që do ta mbushin atë:

﴿ وَإِن تَتَوَلَّوۡاْ يَسۡتَبۡدِلۡ قَوۡمًا غَيۡرَكُمۡ ثُمَّ لَا يَكُونُوٓاْ أَمۡثَٰلَكُم٣٨﴾

“Po nëse ju i ktheni shpinën, Ai do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, që nuk do të jetë si ju.” (Muhamed, 38)

Nëse ne lexojmë lajmet se i biri e rrahu babanë e vet, a jam unë prej atyre që jam shkruar në kronikën e bardhë, se jam në kulmin e respektimit të prindit.

A jam prej atyre që i them: Ku ke dëshirë të shkosh? Çfarë ke dëshirë të hash?

Ka prindër që kanë dëshirë të udhëtojnë e të shëtisin. Ka prej tyre që kanë dëshirë në ushqime. Ka të tjerë që kanë dëshirë në rroba… Ku jam unë në këtë respekt? A po jam i pari në listën e atyre që i respektojnë prindërit?

Këtu në xhematin tonë e kemi një rast, ku fëmijët i kanë thënë babai të tyre: Babë merre pasaportën, dhe hajde se po të dërgojmë në umre (në Qabe)!

Babai i tyre, në këtë kohë nuk ishte namazli, nuk falej në atë kohë, ndërsa fëmijët dhe gruaja po. Porse pas umres ka filluar me namaz.

E tash, ne ta pyesim vetën tonë, a jemi kaq të flaktë që të udhëzohen prindërit tanë?

Nëse njerëzit ftojnë për tek kronika e zezë, p.sh. tek kamata, atëherë ne të thërrasim tek zekati. T’i nxisim njerëzit për ta dhënë zekatin apo sadakanë:

﴿يَمۡحَقُ ٱللَّهُ ٱلرِّبَوٰاْ وَيُرۡبِي ٱلصَّدَقَٰتِۗ ٢٧٦﴾

“Allahu zhduk kamatën dhe shton lëmoshën.” (Bekare, 276)

Përderisa ka prej atyre që i promovojnë lidhjet jashtëmartesore; bashkëjetesën, etj., të jemi ne ata që e promovojnë martesën, t’i nxisim rininë për martesë, e t’ju ndihmojë në këtë aspekt. Pejgamberi ﷺ  ka thënë:

“Ndërmjetësoni sepse shpërbleheni.”[1]

 

Hubeja e dytë:

Kur jemi duke folur për kronikën e zezë, nuk po nxisë që të lexojmë sa shumë lajmet e kronikës së zezë.

Sepse këto lajme na mërzisin, e na pikëllojnë. Këto lajme na e sëmurin zemrën.

Madje Allahu thotë:

﴿لَّا يُحِبُّ ٱللَّهُ ٱلۡجَهۡرَ بِٱلسُّوٓءِ مِنَ ٱلۡقَوۡلِ إِلَّا مَن ظُلِمَۚ ١٤٨﴾

“Allahu nuk dëshiron që t’i shfaqni të këqijat, përveç atij që i është bërë zullum.” (Nisa, 148)

 

Duhet të jemi mesatar; të dimë ku jemi e ku po jetojmë, por pa u thelluar në lajme të këqija e në detaje, sepse ato na e sëmurin zemrën.

Prandaj të mundohemi të thërrasim në lajme e në vepra të mira, dhe t’i promovojmë ato sa më shumë.

Fol për burrninë dhe bamirësinë e shokëve apo të afërmve të tu, promovoji vlerat.

Normalisht jo në prani të tyre, por kur ata mungojnë, fol për këta njerëz sepse mund të merren si shëmbëlltyrë për të mirë.

[1] Buhariu nr.5283.

Përgatiti: Mr. Flamur KABASHI

 

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH