Rtv Pendimi

Kryediplomati turk bën thirrje për t’i dhënë fund islamofobisë

Kryediplomati turk bën thirrje për t’i dhënë fund islamofobisë

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, ka bërë thirrje për zhvillimin e mekanizmave efektive për të çrrënjosur tendencat anti-muslimane dhe urrejtjen ndaj Islamit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Përmes një video-mesazhi në një konferencë të organizuar në Ditën ndërkombëtare për të luftuar islamofobinë nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OBI), ministri Çavuşoğlu tha se “populizmi, racizmi, ksenofobia dhe gjuha e urrejtjes janë në rritje në të gjithë botën dhe shfaqja e pandemisë COVID-19 ka rritur më tej këto tendenca”.

Çavuşoğlu theksoi se sulmet, fyerjet dhe aktet e diskriminimit institucional ndaj muslimanëve janë bërë të zakonshme dhe shtoi se veprime të tilla paraqesin një nga kërcënimet më të mëdha për bashkëjetesën paqësore.

“Raportet e fundit tregojnë se numri i krimeve të urrejtjes që synojnë emirgatët po ashtu është në rritje në vendet pritëse. Ne duhet të qëndrojmë së bashku kundër të gjitha akteve të dhunës të shkaktuara nga urrejtja fetare, duke përfshirë nga anti-islami, anti-semitizmi dhe anti-kristianizmi”, tha Çavuşoğlu, duke theksuar se Turqia do të vazhdojë të mbështesë iniciativën e Aleancës së Qytetarëve të OKB-së për të përmirësuar respektin reciprok midis kulturave.

Më tej, ai tha se për të rritur ndërgjegjësimin, Turqia do të fillojë botimin e raporteve vjetore mbi tendencat ksenofobike, anti-migrante, raciste dhe anti-islame në të gjithë botën.

“Kjo është një çështje përtej politikës së përditshme. U bëj thirrje vendeve anëtare të OKB-së të përkujtojnë 15 marsin si Ditën ndërkombëtar për të luftuar islamofobinë”, tha Çavuşoğlu, duke shtuar se ata po përgatisin një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Gjatë fjalës së tij, kryediplomati turk falënderoi për mbështetjen e tyre sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, kreun e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Volkan Bozkır, dhe përfaqësuesin e lartë të OKB-së për Aleancën e Qytetërimeve, Miguel Moratinos.

TË NGJAJSHME