Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama mbërrin në Kosovë, pritet me ceremoni shtetërore

Ka mbërritur në Prishtinë për vizitë zyrtare njëditore kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ku është pritur nga krerë të institucioneve të larta me ceremoni shtetërore, raporton Anadolu Agency (AA).

Fillimisht kryeministri shqiptar Rama u prit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” nga ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Artane Rizvanolli dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku.

Më vonë, në sheshin “Skënderbeu” të kryeqytetit atë e ka pritur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me prani të gardës ceremoniale të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ku më pas ata filluan takimin me dyer të mbyllura për media në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, ndërsa pritet që pas takimit të dy liderët të flasin para mediave.

Në kuadër të vizitës njëditore në Kosovë, kryeministri i Shqipërisë, Rama do takojë edhe liderët e opozitës në vend.

Rama po e zhvillon këtë vizitë në Kosovës pas ftesës që i bëri kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me rastin e urimit të tij pasi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mori edhe mandatin e tretë si kryeministër i Shqipërisë.