9F62E053-92DD-4BD2-974A-15E48347F2CD

Kryeministri Kurti fton bizneset private në Zvicër të investojnë në Kosovë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Samitin e Investitorëve në Cyrih të Zvicrës të organizuar nga Qeveria e Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, në këtë samit Kurti mori pjesë bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, shefin e stafit, Luan Dalipi, këshilltarin politik për teknologji të informacionit, Lulëzon Jagxhiu dhe këshilltaren politike të ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Gearda Demiraj.

Para më shumë se 60 ndërmarrësve dhe drejtueseve të kompanive të ndryshme në fushën e infrastrukturës, mjedisit, energjisë, prodhimit dhe teknologjisë së informacionit, kryeministri Kurti dhe delegacioni qeveritar prezantuan mundësitë që Kosova ofron për investitorë dhe investime të huaja.

Të pranishmit u njoftuan për përparimin në fushën e sundimit të ligjit dhe për stabilitetin institucional, për politikat fiskale të zbatuara në vend, planet investive të qeverisë dhe karakteristikat e fuqisë punëtore në Kosovë.

Marrë parasysh ndryshimet pozitive në dy vitet e fundit dhe kushtet e favorshme që ofrohen, Kurti ftoi bizneset zvicerane që të investojnë në Kosovë.

Pas prezantimeve hyrëse, Kurti së bashku me këshilltarin e tij për teknologji të informacionit, Lulëzon Jagxhiu, po ashtu ishin pjesë e panelit të diskutimit në të cilin u trajtuan në detaje specifikat dhe përparësitë e të bërit biznes në Kosovë.

Kurti ka udhëtuar për në Zvicër për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.