Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka quajtur masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian (BE) “të padrejta” dhe ka thënë se shpreson që ato të jenë të shkurtra, transmeton Anadolu.
Kurti gjatë përurimit të parkut të ri në fshatin Davidovc të Shtimes, ka thënë se “Kosova është një vend që ka nevojë për mbështetje në zhvillimin e saj”.
“Këto nuk janë sanksione, por është e vërtetë që janë masa të përkohshme por të padrejta për shkak se Kosova dhe qeveria e saj janë edhe shteti edhe ekzekutivi më demokratik proevropian dhe progresist”, theksoi Kurti.
Ai tha se Kosova është në përballje të vazhdueshme me forma të ndryshme të agresionit të Serbisë “që është shtet autokratik dhe prorus dhe i paballafaquar me të kaluarën kriminale në hapësirën e ish-Jugosllavisë, ku i ka shkaktuar katër luftëra”.
“Sido që të jetë, ne e bëjmë punën tonë, por le të mos harrojmë që nuk mund të bëjmë kompromis as me sundimin e ligjit, as me kushtetutshmërinë e vendit tonë, andaj ne do të vazhdojmë me zbatimin e programit tonë qeveritar dhe shpresojmë që këto masa të përkohshme do të jenë fort të shkurtra ashtu që edhe mbështetja edhe ndihma evropiane të jenë të plota për shkak se Kosova është një vend që ka nevojë për mbështetje në zhvillimin e saj”, theksoi Kurti.
Tutje ai shtoi se Kosova është e gatshme dhe e interesuar shumë më tepër sesa Serbia për normalizim e marrëdhënieve me njohje “de facto” në qendër.
Deklarata e kryeministrit Kurti vjen një ditë pasi nga BE-ja u konfirmua se Qeverisë së Kosovës i janë komunikuar masat ndëshkuese qysh më 28 qershor, si pasojë e vlerësimit të BE-së se Kosova nuk ka ndërmarrë hapat e kërkuar për uljen e tensioneve në veri të vendit.
Disa nga masat e BE-së ndaj Kosovës përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Masat tjera përfshirë ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit).
Nga BE-ja publikisht për këto masa ishte paralajmëruar më 27 qershor.
Në veriun e Kosovës me shumicë serbe, tensionet nisën nga 26 maji kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës. Serbët kundërshtuan këtë dhe që atëherë po zhvillojnë protesta duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe prezencës së njësive speciale policore në veri.
Bashkësia ndërkombëtare i ka paraqitur Kurtit tri kërkesa kryesore: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore me pjesëmarrjen e serbëve dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.