thumbs_b_c_7d210950a9115391bfc11335ae766381

Kryeministri Kurti mori pjesë në iftarin e shtruar nga Oda Tregtare Kosovaro-Turke

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte i ftuar për të bërë iftar me përfaqësuesit e Odës Tregtare Kosovaro-Turke dhe qytetarë të pranishëm në Çadrën e Iftarit te Pallati i Rinisë në Prishtinë, transmeton Anadolu.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, në këtë iftar mori pjesë edhe ambasadori i Türkiyes në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, Kryetari i Odës Tregtare Kosovaro-Turke, Abdurrahman Balkiz, anëtari i Odës dhe gjithashtu sponsori i këtij iftari, Güriş, organizatori i çadrës së iftarit te Pallati i Rinisë, İskender Janova, dhe qindra qytetarë.

Kurti u shpreh shumë i nderuar dhe i gëzuar që bëri iftar bashkë me qytetarë të shumtë duke kërkuar që “të përqendrohemi tek ana jonë shpirtërore dhe te solidariteti me të tjerët”.

“Me këtë rast ju dëshiroj agjërim të lehtë në muajin e shenjtë të Ramazanit dhe një iftar të shijshëm sonte duke përkujtuar që ky muaj na thotë që të përqendrohemi tek ana jonë shpirtërore, te solidariteti me të tjerët, te mirëkuptimi me të gjithë, te bashkëpunimi i shëndetshëm dhe te vlerat e besimit e të shpresës”, u shpreh Kurti.

Fondacioni “Ejup Sulltan” nga Republika e Türkiyes tash e më shumë se 15 vjet me radhë vendos tendën e iftarit mbi platonë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet, ku mijëra qytetarë hanë iftare gjatë gjithë muajit të Ramazanit.