Kryeministri Kurti në Samitin për Ballkanin Perëndimor në Vjenë: Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në samitin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Pallatin e Kancelarisë Federale në Vjenë nën organizimin e Kancelarit Austriak, Sebastian Kurz, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, duke folur për raportin mes Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Kurti ka ritheksuar rëndësinë e një deklarate të përbashkët të paqes me zotim për mos-sulmim mes të dy shteteve, “që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të ballafaqohet me të kaluarën, si dhe Kosova e Serbia të zbatojnë reciprocitetin sa i përket të drejtave të pakicave”.

Po ashtu, Kurti bëri thirrje për heqjen e vizave për Kosovën në mënyrë që qytetarët të udhëtojnë lirshëm në vendet e BE-së, kurse gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të kalojnë nga CEFTA në SEFTA (Marrëveshja Evropiane për Tregti të Lirë me Evropën Juglindore).

Kryeministri kosovar ka folur edhe për situatën me pandeminë, ku tha se Kosova po e menaxhon mirë e me sukses pandeminë COVID-19, prandaj Bashkimi Evropian duhet ta vendosë Kosovën në mesin e shteteve të udhëtimit të sigurt.

Po kështu, Kurti ka thënë se Kosova “me qeverisjen e mirë dhe demokratike ka nisur reformat në drejtësi dhe ekonomi” dhe theksoi nevojën për më shumë investime.

Kancelari austriak, Sebastian Kurz, në llogarinë e tij në rrjetet sociale ka bërë të ditur se pjesëmarrës në këtë ngjarje pos përfaqësues nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor është edhe përfaqësuesi special i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak.

Liderët e Ballkanit Perëndimor, gjatë javës së kaluar u mblodhën në Shqipëri, në kuadër të Samitit të Tiranës, pjesë e të cilit ishte edhe komisioneri evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Oliver Varhelyi.