Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në Berlin të Gjermanisë nga kancelari gjerman Olaf Scholz, transmeton Anadolu.
Kurti i cili bashkë me liderë nga vendet e Ballkanit Perëndimor po merr pjesë në Procesin e Berlinit, është pritur paraprakisht nga kancelari gjerman.
“Kemi punuar fuqishëm për ta bërë samitin e këtij viti të Procesit të Berlinit të suksesshëm. Për një dekadë ai ka luajtur një rol kyç në mbajtjen e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor së bashku dhe për ta sjellë atë më afër Bashkimit Evropian. Pres me padurim diskutimet dhe rezultatet”, ka shkruar Kurti në rrjetet sociale.
Gjatë takimit të sotëm në kuadër të Procesit të Berlinit, është paralajmëruar nënshkrimi i disa marrëveshjeve dhe deklaratave në mes të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në vitin 2022 në kuadër të këtij procesi u nënshkruan pesë marrëveshje, tri nga të cilat nuk kanë gjetur zbatim ende, ku në mesin e tyre është edhe marrëveshja për heqjen e regjimit të vizave midis Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Procesi i Berlinit i cili mbahet prej vitit 2014, me iniciativë të kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel, ndër vite është mbajtur në Tiranë, Londër, Paris, Vjenë apo Poznan.
Përveç përfaqësuesve nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina dhe 10 vendeve partnere perëndimore, në këto takime marrin pjesë edhe institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe organizata rajonale