thumbs_b_c_8386a0ae59651dc9f565b057d67d29b7

Kryeministri Kurti: Serbia po provokon me ushtri afër kufirit me Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se të enjten gjatë ditës janë vërejtur njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, transmeton Anadolu.

Kurti nëpërmjet disa pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, tha se këta trupa janë parë në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut.

“Lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën”, ka shtuar ai.

Sipas Kurtit, Forcat e Armatosura të Serbisë po realizojnë stërvitje të rregullta, duke i përdorur ato si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën.

“Jemi duke vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal”, ka thënë Kurti në shkrimin e bashkëngjitur me pamjet e publikuara.

Kurti po ashtu theksoi se para pak ditësh, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, e ka paralajmëruar Perëndimin se nëse e zgjedhin Kosovën para Serbisë, do të presin “momentin më të mirë të mundshëm dhe ta shfrytëzojë rastin”, duke kërcënuar publikisht Kosovën.