Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është pritur sot në Berlin nga kancelari gjerman Olaf Scholz, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit, nëpërmjet një konference të përbashkët për media me kancelarin Scholz ka thënë se ka kërkuar nga ai që ta ndihmojë Kosovën që të njihet nga sa më shumë shtete e po ashtu të ketë sa më shpejtë liberalizimin e vizave.
Kurti tha se Kosova është një tregim suksesi me një fuqi të re punëtore dhe të talentuar dhe me mundësi tejet të mëdha, prandaj është e nevojshme ndihma e Gjermanisë si aktor i rëndësishëm në botë.
“Kemi nevojë për ndihmën e Gjermanisë si aktor i rëndësishëm në botë, pavarësia e Kosovës duhet të njihet nga sa më shumë vende duke përfshirë edhe 5 vendet e BE-së dhe në këtë mënyrë të evitojmë krijimin e narrativave të dëmshme. Nga Scholz kërkova që Gjermania ta shtyjë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Në korrik bëhen katër vite prej që Komisioni Evropian ka propozuar liberalizimin e vizave për herë të dytë”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka thënë po ashtu se e ka njoftuar Scholz-in për arritjen e Kosovës dhe për qëllimin e shtetit që të jetë palë konstruktive dhe proaktive në procesin e dialogut me Serbinë.
“Kosova është proaktive dhe konstruktive në dialog. Dialogu duhet të jetë i përqendruar në njohje reciproke, si një dialog për marrëveshje me njohje reciproke në qendër. Jemi të përkushtuar që të ecim shpejtë, të kemi rezultate konkrete dhe të bashkëpunojmë shumë”, ka thënë Kurti.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, deklaroi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është i rëndësishëm dhe me suksesin në këtë proces i hapet perspektiva drejt Bashkimit Evropian të dyja vendeve.
Ai deklaroi se e ka inkurajuar kryeministrin Kurti t’i vazhdojë bisedimet me Serbinë me marrëveshje nga e cila do të përfitojnë njerëzit e Ballkanit Perëndimor.
Scholz tha se ka folur me Kurtin edhe për marrëdhëniet dypalëshe Gjermani-Kosovë dhe lidhjen mes njëri-tjetrit mes tjerash edhe me 400 mijë qytetarë në Gjermani me prejardhje nga Kosova.
Scholz, duke e përmendur procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët, tha se Gjermania e përkrah një gjë të tillë.
“Rëndësi të madh ka luftimi i krimit dhe korrupsionit. Përparimet nuk arrihen brenda natës, por janë me rëndësi të madhe. Ne jemi të gatshëm ta përkrahim Kosovën për këtë. Përparimi duhet të bëhet edhe në liberalizimin e vizave. Për këtë angazhohem në Bashkimin Evropian me këmbëngulje”, deklaroi tutje kancelari gjerman, i cili përmendi edhe një vizitë në Kosovë në të ardhmen.
Scholz pas takimit me kryeministrin Kurti takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ndërsa në mbrëmje, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do t’i takojë po ashtu ndaras kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, u takuan në kuadër të dialogut më 19 korrik të vitit 2021. Që nga ajo kohë, bisedimet ndërmjet dy shteteve janë zhvilluar në nivel ekipesh negociatore.