Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njofton Drejtoria për Media e Kuvendit të Kosovës, në takim u bisedua për ecurinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Konjufca u shpreh se dialogu duhet të rezultojë me njohje reciproke dhe përsëriti qëndrimin se rendi kushtetues, sovraniteti, integriteti territorial dhe pavarësia e Kosovës janë të panegociueshme.
“Asnjëherë nuk do të pranojmë që këto postulate të shtetit tonë të jenë temë e bisedimeve me Serbinë”, tha Konjufca.
Kreu i Kuvendit të Kosovës po ashtu theksoi angazhimet parlamentare lidhur me miratimin e ligjeve dhe harmonizimin e tyre me ato të BE-së, duke ritheksuar se perspektiva e Kosovës është në Bashkimin Evropian.
Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, po qëndron në vizitë treditore nga e mërkura në Prishtinë. Të mërkurë ai u takua me kryeministrin Kurti, ndërsa pas takimeve që do të ketë edhe me krerë të tjerë të partive politike parlamentare dhe organizatave të ndryshme, të premten do t’u adresohet mediave me përmbledhje nga takimet e tij.