Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, ka mbajtur sot mbledhjen e saj të rregullt, të cilën e hapi dhe e kryesoi kryetari i saj, Myftiu Naim ef. Tërnava.
Në këtë mbledhje Kryesia diskutoi për situatën aktuale, sidomos për paraqitjen e disa lëvizjeve me fushata tendencioze, që atakojnë vlerat tona fetare dhe kombëtare, e të cilat po sulmojnë harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare në vendin tonë, vlerë kjo e kombit shqiptar, e njohur botërisht. Myftiu Tërnava me këtë rast tha se këto paraqitje me këtë gjuhë të urrejtjes po prishin harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare.
Këtu u potencua edhe roli destruktiv i disa mediave dhe portaleve të caktuara, të cilat po u japin hapësirë mediatike individëve tendenciozë dhe injorantë.
Po ashtu gjatë kësaj mbledhje u diskutua edhe për përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor në medresenë e mesme “Alauddin” dhe në Fakultetin e Studimeve Islame.
Më pas Kryesia diskutoi edhe lëndë të tjera dhe mori vendime në bazë të kompetencave që i takojnë. /Rtv Pendimi/