Ali-ibn-talib

KUJDES NGA NËNVLERËSIMI I GJYNAHEVE TË VOGLA

Temës së lartpërmendur i bashkëngjitet frika nga nënvlerësimi i gjynaheve të vogla. Pejgamberi (alejhi selam) paralajmëroi për këtë dukuri dhe e përshkroi rrezikun në mënyrën më të mirë të mundshme.

Sehl ibn Sadi h tregon se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Ruhuni nga nënvlerësimi i gjynaheve (të vogla). Shembulli i gjynaheve të vogla është si shembulli i një grupi të njerëzve të cilët zbritën në një luginë, pastaj njëri prej tyre solli një degë e tjetri një degë, derisa e poqën bukën e tyre. Kësisoj janë edhe gjynahet e zhvlerësuara, kur ato grumbullohen, e shkatërrojnë atë që i vepron.”[1]

Ibn Mesudi h tregon se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Ruhuni nga nënvlerësimi i gjynaheve (të vogla), kur ato grumbullohen, e shkatërrojnë atë që i vepron.” Pastaj Ibn Mesudi tregon se Pejgamberi m e solli një shembull për ta ilustruar realitetin e gjynaheve të vogla dhe tha: “Shembulli i tyre është si shembulli i një grupi të njerëzve të cilët zbritën në shkretëtirë dhe me vete kishin marrë ushqim. Njëri prej tyre e solli një degë e tjetri një degë, derisa i bënë grumbull, e kallën zjarrin dhe e zien ushqimin.”[2]

Ky krahasim i përkryer prej Pejgamberit  (alejhi selam) e paraqet rrezikun dhe dëmin që i shkaktohet njeriut nëse grumbullohen gjynahet tek ai. Njeriu mendon se një degë nuk bën gjë, po ashtu edhe dy degë, mirëpo, kur ato grumbullohen dhe shtohen, atëherë me to kallet zjarri dhe zihet ushqimi.

Për këtë shkak porosiste Ibn el-Muatezi që të kemi kujdes nga gjynahet e vogla, duke thënë:

Braktisi gjynahet e vogla dhe të mëdha, kështu e ka devotshmëria,

në jetë, bëhu sikur ai që ecën në tokën plot ferra, i kujdesshëm se ku po shkel,

dhe mos i përbuz gjynahet e vogla, sepse malet janë ngritur me guralecë.

Pejgamberi (alejhi selam) e paralajmëronte gruan e tij Aishen për këtë realitet duke i thënë: “Oj Aishe, kujdes e mos i nënvlerëso gjynahet e vogla, sepse për to do të merresh në llogari tek Allahu.”[3]

Amër ibn el-Ahvasi përcjell se e ka dëgjuar Pejgamberin (alejhi selam) në haxhin e lamtumirës të ketë thënë: “Cila ditë është kjo?… Me të vërtetë shejtani është dëshpëruar dhe e ka humbur shpresën përgjithmonë që do të adhurohet në gadishullin arabik, por do t’i bindeni atij kur t’i nënvlerësoni veprat tuaja e ai do të jetë i kënaqur me këtë gjë.”[4]

Porositë e gjeneratës së parë (selefit) përsëriteshin shpeshherë për ta qartësuar rrezikun dhe për ta tërhequr vëmendjen nga nënvlerësimi i gjynaheve të vogla.

Kabi thoshte: “Robi e bën një gjynah të vogël, megjithatë nuk ndien keqardhje dhe nuk kërkon falje, kështu që gjynahu rritet tek Allahu sa mali. Kur robi bën gjynah të madh, ndien keqardhje dhe kërkon falje për të, gjynahu zvogëlohet tek Allahu derisa t’ia falë atë.”[5]

Fudajl ibn Ijadi, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Aq sa i vogël duket gjynahu në sytë e tu, për aq rritet tek Allahu dhe aq sa i madh duket gjynahu në sytë e tu, për aq zvogëlohet tek Allahu.”[6]

Hasan el-Basriji, Allahu e mëshiroftë, tha: “Kush bën një vepër të mirë, sado e vogël të jetë, ajo i bën dritë në zemër dhe i jep fuqi në punën e tij. Kush bën një vepër të keqe, sado e vogël të jetë dhe ai e nënvlerëson atë, ajo ia mbush zemrën me errësirë dhe e dobëson në punën e tij.”[7]

Ebu Ejub el-Ensariji h tha: “Njeriu punon vepra të mira dhe mbështetet në to (se ato do ta shpëtojnë tek Allahu), dhe vepron gjynahe të vogla të cilat i nënvlerëson (nuk i braktis dhe nuk pendohet prej tyre), deri ta takojë Allahun e ato ta rrezikojnë të mirën e tij. Dhe tjetri bën vepra të këqija, porse frikësohet prej tyre (i braktis dhe pendohet) deri ta takojë Allahun, e kështu i ruan të mirat e tij.”[8]

Ibn el-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nëse robi e di rrezikun e gjynahut, megjithatë e nënvlerëson atë, robi tregon guxim të madh para Allahut (të veprojë ashtu). Ai e shfaq padijen e tij për realitetin se kujt po i bën gjynah dhe padijen e tij karshi hakut të Allahut. Kjo realisht llogaritet dyluftim, sepse ai e nënvlerësoi dhe përbuzi gjynahun, derisa zemra e tij e mori guximin me shumë lehtësi ta vepronte atë gjynah. Ky është një lloj dyluftimi.”[9]

E sa fjalë i shqiptojmë pa i menduar fare pasojat e tyre; tallje apo përbuzje me njerëz, cenim i nderit të tjetrit, fjalë jo të sinqertë, shtoja kësaj edhe shikimet në gjërat e ndaluara, lënien pas dore të obligimeve dhe prej tyre pastaj vjen deri te vërshimi i furishëm i gjynaheve.

Pastaj habitemi se pse zemrat tona janë të ngurta!

 

DR. MUHAMED ED DUVEJSH

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

PJESË NGA LIBRI “RRUGA E SHPËTIMIT NGA E KEQJA E GJYNAHUT”

(Libri është i përkthyer në shqip)

 

[1] Ahmedi (5/331), Taberaniu dhe Bejhakiu në Shuab el-Iman (7267). Ibn Haxheri tha se imam Ahmedi e nxori hadithin me zinxhir të mirë (Fet’hul Barij 11/329).

[2] Ahmedi (1/402) dhe Taberaniu.

[3] Ibn Maxhe (4243), Darimiu (2626) në Zevaid tha që zinxhiri është i saktë dhe transmetuesit të besueshëm.

[4] Ibn Maxhe (3055).

[5] Bejhakiu në Shuab el-Iman (7151).

[6] Bejhakiu në Shuab el-Iman (7152).

[7] Bejhakiu në Shuab el-Iman (7219).

[8] Bejhakiu në Shuab el-Iman (7266), këtë thënie Ibn Haxheri në Fet’hul Barij e atribuon ta ketë thënë Esed ibn Musa në librin ez-Zuhd.

[9] Medarixhus Salikin (1/290).