Rtv Pendimi

Kundër manipulimit të listave!

Gëzim Saraçi

Më shkoi mendja që edhe unë, si veteran i UÇK-së, të protestoj, por fillimisht desha të di se cili është kuptimi i fjalës “protestoj” sipas fjalorit të gjuhës shqipe. Aty mësova se fjala “protestoj” ka këtë kuptim: “Ngre zërin kundër një padrejtësie, një veprimi të paligjshëm etj.; shpreh kundërshtimin tim për diçka, bëj protestë”. Por, a ka kuptim të protestoj kundër një padrejtësie e të heshti përballë padrejtësisë tjetër edhe më të madhe, e që ka të bëjë me të njëjtën çështje?

Veteranët e UÇK-së kanë arsye, madje kanë arsye të madhe që të protestojnë. Ata protestuan për listat, por edhe ata sikur nuk i kanë listuar (renditur sipas prioritetit) mirë kërkesat e tyre, ngase është dashur në radhë të parë të protestojnë kundër manipulimit të listave në zonat që tashmë janë publikuar këto lista.

Ata protestuan kundër formimit të Gjykatës Speciale, por sikur heshtin së protestuari kundër njerëzve “specialë” që çdoherë si pasojë e veprimeve të tyre bashkësia ndërkombëtare bën “eksperimente” me shtetin tonë.

Organizimi i protestave të veteranëve ishte i dobët, ngase në atë protestë secili veteranë shpërfaqte ndonjë ankesë apo kërkesë sipas mendimit të vet (kjo nuk nënkupton se ata shpërfaqnin kërkesa të paarsyeshme por ato ishin të pa unifikuara), madje as udhëheqësi i protestës, sikur nuk i kishte mjaftë të qarta arsyet e protestës.

Se është i vonuar procesi i verifikimit dhe se vonesat dëmtojnë në radhë të parë veteranët, besoj se pajtohen të gjithë dhe ky nuk është ndonjë zbulim. Mirëpo, përkundër vonesave në publikimin e listave, dëmi më i madh që po i bëhet veteranëve, invalidëve, dëshmorëve dhe gjithë UÇK-së, rrjedhimisht edhe Republikës së Kosovës, shtetit tonë të ri, konsideroj se janë manipulimet në ato lista, ngase manipulimi me listat do të thotë manipulim me të kaluarën, por i cili ka pasoja të mëdha politike, ekonomike, historike dhe kombëtare.

Veteranët duhet të protestojnë para së gjithash kundër padrejtësisë së madhe, ngase listat që nuk janë publikuar mund të mos publikohen edhe disa ditë, por gjithsesi do të publikohen, ndërsa gjurmët e manipulimeve që janë bërë në listat e publikuara do të lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e popullit tonë. Listat duhet të publikohen dhe do të publikohen. Problemi nuk është te verifikimi, sepse nuk pritet që komandantët që po i vonojnë listat të jenë më të mirë se këta që i kanë publikuar. Ata vetëm po e luajnë lojën e të fortit, si zakonisht.

Komandantët tash janë rivalë në biznese, madje disa edhe në politikë dhe dëshirojnë që të fusin sa më shumë emra në listat e tyre në mënyrë që të duken më të fortë sesa rivalët e tyre. Madje, disa vuajnë edhe nga “sëmundja” për të qenë i pari në listë. Oh, sa fat i keq për komandantët që nuk e kanë emrin që fillon me shkronjën “A” dhe kështu nuk po mund të jenë të parët në listë.

Unë i pash (ndonëse i kam parë dhe e kam ditur edhe më herët), sikur që i pa i gjithë populli ynë, se veteranët (të paktën ata që morën pjesë në protestë) janë lodhur, janë lodhur nga mjerimi ekonomik, por edhe janë moshuar aq shumë, saqë shumë prej tyre ndoshta nuk do t’i gëzojnë gjatë benificionet për të cilat edhe po protestonin dhe të cilat iu takojnë, siç nuk i pritën shumë nga veteranë, të cilët bënë vetëvrasje për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike apo edhe nga vdekja e natyrshme.

Veteranët protestonin, por para kujt protestonin ata? A po protestonin para një godine shumëkatëshe që quhet Qeveria e Kosovës apo ata po protestonin para shokëve të tyre të luftës, para komandantëve të tyre?!

Kush janë ata kundër të cilëve duhet të protestojmë? Kush janë ata të cilët manipuluan apo lejuan të manipulohet me listat, që nënkupton se manipuluan apo lejuan të manipulohet me historinë e Luftës së Lavdishme të UÇK-së? Natyrisht ata janë komandantët tanë.

Po emrat e tyre?!

Pse duhet t’ua përmend emrat, kur të gjithë janë në dijeni për ta?!

Ata janë komandantët e pothuaj se të gjitha niveleve, në veçanti ata që në kohën kur në krahë duhej të mbanin armën kundër armikut, në krahët e tyre mbanin çantat sikur të ishin emisarë të shtetit.

Komandantët manipuluan apo lejuan të manipulohet…

Unë publikisht protestoj kundër manipulimit të listave…

TË NGJAJSHME