Kuotat gjinore, ndarje e gruas nga thelbi i saj

Nisma e kohëve të fundit e një grupimi të grave deputete të Parlamentit të Shqipërisë, për të rritur numrin e përfaqësimit të tyre në politikë, tingëlloi bukur, sidomos pas përpjekjeve për dekriminalizim të të njëjtit parlament. Debati që u ngrit pas këtij propozimi i cili duket se do të marrë bonusin e 50%-it të listave në favor të gruas, plasi me shakanë se pas dekriminalizimit do të pasohet me seksualizimin e parlamentit tonë. Në vetvete kjo shaka, mund të duket cinike ndoshta edhe e pa vend, por që fsheh një të vërtetë të madhe, atë të trajtimit të gruas vetëm në aspektin seksist dhe bonuset që duhet marrë duhen dhuruar si kategori seksuale e persekutuar dhe jo se kontributi dhe prirja e gjinisë femërore është e një rëndësie primare dhe e domosdoshme.

Trajtimi i gruas si kategori dhe jo si gjysma e botës, si kategori që pëson persekutim, e zhyt atë baraz me të përndjekurit dhe invalidët, të cilët për shkak të mangësive të tyre historike dhe fizike, u aplikohet përqindja që të kapin ritmin e shoqërisë. Gabimi i parë qëndron në të konsideruarit e gjinisë femërore si kategori e më  pas homogjenizimin e saj si njësi unike, ndërkohë që gjina femërore nuk përban kategori dhe tipologjia e saj është heterogjene bazuar në shtrirjen gjeografike dhe kulturore. Ky gabim çon në stabilizimin e përqindjeve të përfaqësimit në vendimarrje duke e konsideruar atë  si asistencë sociale që i jepet gjinisë femërore si një status inferior social i nënkuptuar.

Unë besoj se përpjekjet për dinjitet të gjinisë femërore, duhet së pari të jenë të përqëndruara në konceptin e barazisë mes gjinive të cilat janë impostuar gabim edhe për shkak të asaj që lëvizja feministe ne Perëndim, mori përsipër të bëjë. Për shak të konsiderimit të dy gjinive meshkuj dhe femra, si dy grupime përplasëse antagoniste në luftë për lidershipin në botë, si dhe mos konsiderimi se si burri po ashtu edhe gruaja, janë së pari qënie njerëzore komplementare, ku njëri nuk bën dot pa tjetrin, të cilët lidhen pazgjidhshmërisht tek shpirti, ekzistenca e tyre në shoqëri u konsiderua si luftë, si betejë e secilës palë për mbijetesë, duke shkelmuar lidershipin e secilit lloj në natyrshmërinë e vet. Pra, nëse do të dalim nga kategorizimi burrë/grua dhe do të përqëndrohemi në qënien njerëzore, atëhere e drejta e secilës gjini tani merr kuptim brënda një koncepti më gjithpërfshirës dhe jo antagonist.

Bruce Baum, i Universitetit të British Columbia,  në punimin e tij “Feminist Politics of Recognition”, shpjegon qartë se përpjekjet e lëvizjeve feministe, përmes politikës së përqindjeve, nuk kanë të bëjnë me barazinë gjinore por thjesht me një përpjekje për ta njohur gruan si identitet gjinor, si kult i grarisë dhe jo çfarë mund të bëjë ajo në të vërtetë. Një tjetër problem që Baum e sheh në politikat feministe, është të konsideruarit njësoj  të të gjitha grave të kulturave të quajtura inferiore duke i  parë si “alibi etnografike”, krahasuar me diversitetin e grave në kulturat e quajtura dominante. Duhet të mësohemi me idenë – thotë Baum- se disa gra, kanë për të thënë diçka ndryshe nga gratë e tjera, e cila  nuk është as irracionale dhe as ndërgjegje fallso, por është thjesht një mënyrë e shfaqjes së identitetit të tyre gjinor në përputhje me kulturën e tyre. Njerëzit rrjedhin nga identitete religjioze dhe kulturore me anën e të cilave rregullojnë përditë kuptimin e ditëve të tyre, gjë e cila mund të jetë e ndryshme nga pikëpamja feministe mbi të drejtën dhe të gabuarën.

Susan Hekman,  e Universitetit të Texasit, në një kryevepër të sajën “Feminism and the Communitarian Critique of Liberalism”, përmend se koncepti liberal për barazinë gjinore është i bazuar mbi seksizmin (gjininë) dhe jo mbi një model barazie që vlerëson pluralitetin dhe ndryshueshmërinë e prurjeve. Ajo thotë se liberalizmi individualist e koncepton individin të ndarë nga rolet që ai duhet të luajë në shoqëri. Pra individi sot ushtron role të cilat nuk përbëjnë thelbin e tij, thelb i cili lidhet me natyrshmërinë e këtij të fundit. Në këtë kuptim, edhe përqindjet e trajtojnë gruan të ndarë nga roli dhe thelbi i saj i cili shprehet pastërtisht në  natyrën e saj. Këtë gjë, ndarjen e individit nga thelbi i tij, nuk e bën bota e biznesit e cila duke pasur në fokus të saj efikasitetin dhe fitimprurjen, nuk përcakton kuota gjinore në treg, por merr ata individë efikasë dhe ekselentë qofshin gra apo burra në 100% të tyre. Thënë ndryshe, kur individi dhe thelbi i tij janë në përputhje dhe japin rezultat. Kjo nuk ndodh kur bie fjala për vendimarrjen politike e cila nuk ka kriter bazë efikasitetin, por kuotat. Atëhere nëse biznesi ka për bazë efikasitetin e individit përse politika nuk e bën një gjë të tillë ?

I vetmi kuotizacion natyral në botë është përqindja e lindjes së femrave dhe meshkujve, çdo gjë tjetër ka të bëjë pastaj me pjesmarrjen në shoqëri përmes kontributeve, prirjeve, kapaciteteve, pra sipas natyrshmërisë së secilit. Kur flitet për kuotat në politikë, këtu merret për bazë kuotizacioni i gjëndjes natyrale në botë të grave dhe burrave dhe kjo kërkohet të pasqyrohet në Parlament apo edhe në shkallët e tjera të vendimarrjes. Së pari, këtu kemi një problem sepse nuk kërkohet të ndiqet rruga e përfaqësimit politik përmes angazhimit të zgjedhjes nga strukturat bazë pastaj të kulmojë me përfqësinë në Parlament, por, kërkohet të imponohet përqindja nga lart brënda listave të mbyllura. Kjo shton anomalinë e vetë sistemit të listave me sistemin e sforcuar gjinor. Së dyti, nëse do të pranonim logjikën e 50%-it si kuotë natyrale në botë për t’u shtrirë gjithandej, do të duhej që ndarjen e kësaj natyre ta aplikonim nga minierat në ushtri dhe nga fonderitë në gurore. Kështu, me këtë logjikë, gjinisë femorere do të duhej gjithmonë t’u jepej 50% i çmimeve nobel, oskar, pulizer etj. Po ashtu grave do t’u duhej t’u lëshonin burrave, 50% të atyre fushave ku ato i zotërojnë tërësisht. Pasta,j gjëja bëhet akoma më interesante në ato vende ku shpesh iniciativa të tilla të sforcuara ngecin, i sheh lëvizjet feministe të shfajësojnë kapacitetet invidiuale dhe të fajësojnë mjedisin kulturor si i prapambetur apo i pa emancipuar, ekzaktësisht siç Baum përmend, në gjetjen e “alibisë etnografike” si formë justifikimi.

Unë besoj se gratë e suksesshme, të zonjat, ekselente, kapaciteti i të cilave lë në bisht shumë burra, nuk kanë nevojë për kuota. Këto janë gratë që i duhen politikës dhe vendit, të cilat arrijnë të prodhojnë produkt në fushën e tyre, të cilat nuk ka sistem që ti bllokojë. Ata janë modeli për shumë gra të tjera. Përkundrazi, përqindja, asistenca në formë ligji, së pari dëmton këto gra ekselente, sepse në sajë të kritereve të dyshimta të përzgjedhjes, i lë jashtë ato dhe fut “delet e buta” që manipulohen kollaj nga politika.

Unë gjithashtu besoj se burrat dhe gratë janë qënie njerëzore dhe shpirtërore që kujdesen për njëri-tjetrin, që nuk jetojnë në ishuj të ndarë dhe që të drejtat e tyre nuk përjashtojnë vetvetet e tyre. Që gëzohen për sukseset e ndërsejllta, që e duan njëri-tjetrin dhe sakrifikojnë për suksesin e tjetrit. Që respekti dhe dashuria për bashkëshortin, njerin që do, nuk është pabarazi, përkundrazi shkallë e lartë e emancipimit moral. Ne duam të shohim të drejtat e grave tona sepse ne i duam ato dhe ato duan të shohin të drejtat tona sepse ata na duan ne. E gjitha pa prishur ekuilibrin perfekt të natyrshmërisë së secilit. /tesheshi.com/