vrijeme-864x400_c

Kur do të ndalesh? (HUTBE)

Kur do të ndalesh, apo kur do të arrish shkallën që do të pushosh e nuk do të bësh më vepra të mira?

Imam Ahmedin e kanë pyetur: “Kur e shijon robi rehatinë?” Ai iu përgjigj: “Kur ta vendos këmbën e parë në Xhenet.” Njëherë, kur e panë imam Ahmedin me libra në dorë, e pyetën: “Deri kur kështu?” Ai tha: “Me libra deri në varr.”

Allahu i Madhëruar na thotë:

﴿فَإِذَا فَرَغۡتَ فَٱنصَبۡ٧ وَإِلَىٰ رَبِّكَ فَٱرۡغَب٨﴾

“Kur ta mbarosh (një adhurim), përqendrohu në tjetrin. Dhe te Zoti yt kërko.” (El Sherh, 7-8)

Çështja nuk është “nëse kam kohë”!

Urdhrat e Allahut janë për çdo ditë. Ne ballafaqohemi me harame çdo ditë. Ne sprovohemi çdo ditë. Andaj, ne çdo ditë ose jemi duke shtuar sevapet, ose jemi duke rënë në mëkate. Ne për çdo ditë jemi në betejë: ose të fitojmë, ose të humbim.

Allahu thotë:

﴿لِمَن شَآءَ مِنكُمۡ أَن يَتَقَدَّمَ أَوۡ يَتَأَخَّرَ٣٧﴾

“Për atë që do prej jush të ecë para ose të ngecë prapa.” (El Mudethir, 37)

Imam Ahmedi, edhe pse u privua nga ligjërimi dhe transmetimi i haditheve, ai nuk u ndal. Njëherë i vajti një nxënës, i quajtur Beki ibn Mahledi prej Endelusit e në Bagdad për të mësuar hadithe nga imam Ahmedi. Kur erdhi në Bagdad, pyeti për imam Ahmedin, kështu që dikush e orientoi për te shtëpia e tij. Bekiu shkoi te shtëpia e imamit, trokiti dhe, kur doli imam Ahamedi, i tregoi lajmin e hidhur: “E kam të ndaluar të të tregoj hadithe.” Megjithatë, Bekiu nuk u dëshpërua, por i tha imam Ahmedit: “Unë do të bëhem sikurse lypsar, kështu që do të vij çdo ditë për të kërkuar ndihmë dhe ti, kur të dalësh për të më dhënë diç, më trego ndonjë hadith.” Kështu, imam Ahmedi i tregoi një grumbull hadithesh në këtë mënyrë. Pasi kaluan vitet dhe imam Ahmedi u lirua që të tregojë hadithe në xhami, e kërkonte Bekiun që ta ulte afër vetes.

Shpeshherë pengesë e kemi pasurinë, familjen ose diç tjetër, por është shumë e rëndësishme që të mos ndalemi. Ndoshta familja të kritikon: Përse vetëm ti duhesh të japësh?! Përse vetëm ti duhet të vraposh për këto punë? A s’ka tjetër njeri?

Deri kur ti duhet të jesh kaq i butë me babanë e nënën tënde? Derisa të vdesin ata, ose deri sa të vdes vetë unë, kështu do të jem, me lejen e Allahut.

Dije, o vëlla, se gara nuk bëhet me të dobëtit, por me burra. Unë jam me ta dhe dua të arrij aty ku kanë arritur ata. Është shumë e natyrshme, vëllezër, që njeriu nuk mund të jetë gjithmonë në të njëjtën shkallë të devotshmërisë dhe të veprave të mira. Nuk mund të jemi gjithmonë superiorë.

E dimë hadithin: “Orë pas ore, o Handhdale.”

Handhale Usejidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), njëri ndër shkruesit e të Dërguarit të Allahut ﷺ, tregon: “Një ditë, Ebu Bekri më takoi dhe më tha:

– Si je, o Handhale?

– Handhale ka bërë hipokrizi, – i thashë.

– Subhanallah! Çfarë po thua! – m’u drejtua ai.

– Kur jemi me të Dërguarin e Allahut ﷺ, ai na e kujton Zjarrin e Xhenetin dhe bëhemi sikur t’i kishim parë me sy, por, kur largohemi prej të Dërguarit të Allahut ﷺ, rrimë me gratë, fëmijët dhe punët e dynjasë, po harrojmë shumë gjëra.

– Betohem në Allahun se edhe neve na ndodh kjo, – tha Ebu Bekri.

Kështu, u nisëm me Ebu Bekrin dhe shkuam tek i Dërguari i Allahut ﷺ. Unë i thashë:

– Handhale ka bërë hipokrizi, o i Dërguari i Allahut!

– Si ashtu, vallë? – tha i Dërguari i Allahut ﷺ.

– O i Dërguari i Allahut, – i thashë, – kur jemi me ty, ti na kujton Xhenetin dhe Zjarrin, saqë bëhemi sikur t’i kishim parë me sy, e, kur largohemi prej teje dhe përzihemi me gratë, fëmijët e punët e dynjasë, harrojmë shumë gjëra.

– Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se, sikur të vazhdonit të jetonit në gjendjen siç jeni tek unë dhe me përmendje të Allahut, melekët do t’ju përshëndesnin nëpër shtëpi e në rrugë, – tha Pejgamberi ﷺ. – Mirëpo, o Handhale, orë pas ore (herë kështu, herë ashtu), – tha tri herë.”[1]

Pejgamberi ﷺ  ia sqaroi se çështja e besimit është kështu: ka momente kur është i fortë, ka momente kur ka dobësi. Ajo që është e rëndësishme është se kjo rënie duhet të mos i kalojë vijat e kuqe, të mos bjerë në harame dhe të mos i lërë obligimet ndaj Allahut. Ndoshta ishte shumë i rregullt në xhami e tani e ka rralluar paksa, porse nuk e ka lënë namazin pa e falur. Problematike është nëse zgjatet kjo dobësi dhe kjo rënie.

Shikoni se si sahabët e ndienin këtë rënie. Handhale posa e kuptoi se besimi i tij ka rënë, menjëherë iu ankua së pari Ebu Bekrit, pastaj mësuesit të tyre, Pejgamberit ﷺ . Mosdobësia dhe vazhdimësia e paluhatur në adhurime është cilësi e melekëve, e jo e njerëzve.

Allahu thotë për melekët:

﴿يُسَبِّحُونَ ٱلَّيۡلَ وَٱلنَّهَارَ لَا يَفۡتُرُونَ٢٠﴾

“I bëjnë tesbih (e lartësojnë Allahun) natën e ditën dhe nuk lodhen.” (El Enbija, 20)

Në anën tjetër dobësia e madhe është cilësi e hipokritëve:

Allahu thotë:

﴿ وَإِذَا قَامُوٓاْ إِلَى ٱلصَّلَوٰةِ قَامُواْ كُسَالَىٰ يُرَآءُونَ ٱلنَّاسَ وَلَا يَذۡكُرُونَ ٱللَّهَ إِلَّا قَلِيلٗا١٤٢﴾

“Kur të ngrihen për ta falur namazin, ngihen me dembeli, sa për t’i parë njerëzit, ndërkaq ata shumë pak e përmendin Allahun.” (En Nisa, 142)

Poeti i njohur, Mutenebiu, thoshte: “Nuk kam parë të metë më të madhe te njerëzit sesa këtë: njerëzit që kanë mundësi të bëhen superiorë (të plotësohen me virtyte) nuk duan të jenë të tillë.”

Kur dijetari i njohur Ibn Xheuzi u pyet: “A t’i jap hapësirë shpirtit tim që të dëfrehet me gjëra të lejuara?”, tha: “Dije se shpirti yt është mjaft i shkujdesur saqë kjo i mjafton për dëfrim.”

Pjesa e dytë e hutbes

Aty ku duhet të ndalemi është të ndalemi në gjërat që janë të ndaluara ose në harame.

Mëkatet e vogla rriten, një nga një. A e keni parë kodrën se si është formuar nga guralecët?! Madje, çdo gjë që ne e shohim si të madhe është formuar nga shumë pjesë të vogla.

Kur jemi të mëkatet, prej gabimeve që ndodhin në këtë pikë është se, kur lihet një mëkat për hir të Allahut (fi sebililah), është e ndaluar fetarisht të kthehesh prapë në të. Pra, nëse kthehesh në një mëkat të cilin e ke lënë për Allahun, dije se një mëkat e ke për shkak se ke bërë gjynah dhe një mëkat për shkak se je kthyer në një gjë që e ke lënë për hir të Allahut.

Kur Pejgamberi ﷺ  e la Mekën dhe bëri hixhret në Medinë, nuk e kishte të lejuar më të kthehej me vendbanim në Mekë, për shkak se e kishte lënë për hir të Allahut. Pejgamberi ﷺ  dhe sahabët e kishin të lejuar të bënin haxhillëkun e umren, por menjëherë të ktheheshin në Medinë.

[1] Muslimi nr.2750.

Përgatiti: Mr. Flamur Kabashi